Meta kujtohet për vrasjen e Egli Progës pasi mbaroi aventurat në mal: U vra nga narko-policia

Politikë

Publikuar: 14/08/2024

Meta kujtohet për vrasjen e Egli Progës pasi mbaroi aventurat në mal: U vra nga narko-policia

Ilir Meta pasi ka mbaruar aventurat dhe pushimet në malësitë e Shqipërisë, është kujtuar të reagojë për vrasjen e Egli Progës në Pogradec.

Në një konferencë për media të mbajtur ditën e sotme, Meta shprehet se vrasja e Egli Progës është një krim i pajustifikueshëm i realizuar në mesin e ditës, ndërsa bën përgjegjës policinë e shtetit.

“Një krim i kryer ditën për diell në qytetin e paqtë të Pogradecit. Ky krim i urryer vërteton narkotrafikun e policisë, e cila humbur misionin e saj duke u kthyer në vegël e pushtetit.

Nuk kemi të bëjme me raste sporadike, por të përsëritshme si ajo e vrasjes së Klodian Rashës, ku njëjtë ngjarja u tentua të fshihej.

Vrullli i krimit është legjitimuar nga vetë kreu i qeverisë dhe drejtues të lartë policie janë të inkriminuar, ashtu siç janë të vërtetuara edhe në dosjen e Metamorfozës. Policia e përgjithshme e partisë-shtet është kthyer në një tmerr për qytetarët  e tij”, – shprehet Meta.

Ngjarja e rëndë në Pogradec u shënua pasditën e vonë të së shtunës, ku 42 vjeçari Egli Proga u dhunua fizikisht nga Denis Meçe.

Duke u nisur edhe nga raportimet që kemi bërë më parë rreth kësaj ngjarje, konflikti midis tyre ka nisur pasi Proga nuk ka pranuar që t’i japë Meçes xhiron ditore të biznesit të tij, dhe kjo gjë duket se nuk është pritur mirë nga ky i fundit, i cili e ka goditur atë me grushte, ndërsa një goditje në pjesën e pasme të kokës duket se ka qenë fatale për 42 vjeçarin Egli Proga.