Prokuroria e Korçës ka zbutur akuzën për Denis Meçen, duke e ndryshuar nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”.
Vrasja e Egli Progës mesditën e të dielës në qytetin e Pogradecit vijon të rrethohet nga hije skandali që tani nuk përfshijnë vetëm Policinë, por Prokurorinë dhe Gjykatën. Pas rrahjes brutale nga 29-vjeçari Denis Meçe që i shkaktoi vdekjen Egli Progës, u raportua se viktima humbi jetën pasi ishte rrëzuar në tokë në gjendje të dehur. Por familjarët reaguan kur konstatuan shenja dhune te viktima dhe policia u detyrua të reagonte sërish për të deklaruar se nuk e kishte fshehur ngjarjen, por e kishte dokumentuar atë duke arrestuar autorin dhe tre persona të tjerë për moskallëzim krimi.
Policia bëri të ditur se e ka referuar ngjarjen në Prokurori si “vrasje me dashje”, e cila sipas kodit penal dënohet nga 10 deri në 20 vite burg.
Por prokuroria, pas 48 orësh, kur e ka dërguar dosjen për vlerësim në gjykatë ka ndryshuar akuzën për Denis Meçen, duke e referuar tashmë ngjarjen si “vrasje nga pakujdesia”, duke e zbutur atë në maksimum. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet.
Rrahja brutale që Denis Meçe i ka bërë Egli Progës dhe ka shkaktuar vdekjen e këtij të fundit, nga prokurori i çështjes është cilësuar si vrasje nga pakujdesia.
Këtë masë e ka konfirmuar mesditën e sotme edhe gjykata duke e lënë atë në arrest me burg.
Gjykata e Korçës la në burg 29-vjeçarin Denis Meçe ndërsa për tre të akuzuarit për moskallëzim krimi Voltan Shulku, Arian Manellari, Leonidha Guçe, togat e zeza u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Vendimi i Gjykatës:
Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 13.08.2024 ora 11:00 seanca me objekt: “Vleftësim arresti në flagrancë, caktim mase sigurimi”, ndaj shtetasve D.M, V.SH, A.M, L.G ku gjykata në përfundim vendosi: Pranimin e kërkesës.
1- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit D.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal.
2- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit V.Sh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
3-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit A.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
4-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit L.G, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Në ambientet e jashtme të godinës ndodheshin edhe familjarë të viktimës, mes tyre motra e Egli Progës, e cila kërkonte të shikonte autorin e dyshuar të krimit dhe të arrestuarit e tjerë.
Familja e viktimës ka pretenduar se policia ka fshehur vrasjen e 42-vjeçarit, duke deklaruar se Elgi Proga kishte vdekur pasi është rrëzuar në rrugë në gjendje të dehur. Gjithashtu kanë deklaruar se në vrasjen e tij nuk është përfshirë vetëm një person, por hedhin akuza për krim të ndodhur në bashkëpunim.
Sipas informacioneve rezulton se Denis Meçe është nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Goro.