Prapaskena

Krim & Korrupsion

Raporti sekret / Lul Berisha pronar i fshehtë i Hotel Brilant dhe pallateve në Golem?

Publikuar: 12/08/2024

Në vitin 2020, Operacioni Forca e Ligjit referoi në SPAK një raport sekret për pasuritë e dyshuara si të fshehura nga Lulzim Berisha, ish kreu i bandës së Durrësit.

Në raportin e bazuar nga të dhënat e institucioneve ligjzbatuese, përfshirë edhe shërbimet informative, theksohej se Lul Berisha po investon paratë që janë produkt i aktivitetit kriminal në ndërtime në zonën e Qerretit, Golem.

Sipas informacioneve të ardhura nga agjenci të tjera ligjzbatuese rezulton se në vitin 2017 në zonën e Qerretit, Durrës, pranë vijës bregdetare janë ndërtuar dy pallate njëri pranë Portit të Jahteve dhe tjetri rreth 100 metra në distancë nga i pari, përballë pallateve të ndërtuara nga shtetasi A.H. Raportohet se si investitor ndërtimi i këtyre pallateve, Berisha është kamufluar nëpërmjet djalit të tezes, shtetasit E.D, i cili ushtron aktivitetin ekonomik në fushën e shitjes së betonit si dhe të gastronomisë, po në Qerret, ku janë ndërtuar këto dy pallate”, thuhet në dokumentin sekret që është dërguar në SPAK.

Shtetasi E. D., rezulton të jetë Elton Dulla (djali i tezes së Lul Berishës), pronar në letra i një kompleksi pallatesh në Golem si dhe i Hotel Brilantit, një investim dhjetëra milionë euro.

Sipas raportit të OFL, Elton Dulla mbulon pasuritë e Lul Berishës, i cili është subjekt i ligjit anti-mafia.

A është Lul Berisha pronari real i Hotel Brilant dhe i komplekseve të pallateve që po ndërtohen nga djemtë e tezes së tij Elton dhe Zenel Dulla në Qerret?

Vetëm një hetim i SPAK mund t’i japë përgjigje kësaj pyetje.

Por një fakt lehtësisht i konstatueshëm ngre dyshime të forta për burimin e parave për ndërtimin e Hotel Brilant dhe kompleksit të pallateve në atë zonë.

Kompania BRILLANT HOTEL & SPA është themeluar në dhjetor të vitit 2017 nga kushërinjtë e Lul Berishës, Elton Dulla dhe Zenel Dulla.

Një kompani pa aktivitet dhe me një kapital modest është ndërtuar Hotel Brilant, një investim dhjetëra milionë euro. Dhe jo vetëm kaq, por kapitali i kompanisë rritet në mënyrë të mistershme në rreth 7 milionë euro, gjatë vitit 2019, pra në më pak se dy vjet.

Djemtë e tezes së Lul Berishës kanë themeluar një rrjet kompanish me kapital modest, përmes të cilave po ndërtojnë komplekse pallatesh në Qerret, me flukse parash me burim të dyshimtë.



Më të lexuarat