Kreu i SPAK Altin Dumani, në një takim pa kamera me gazetarët, i ka dhënë një mesazh gjyqtarit të Apelit të GJKKO, Dhimitër Lara, i cili riktheu në burg Namik Simixhiun, pjesë e të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës, duke e cilësuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Kreu i SPAK-ut Altin Dumani tha se gjyqtari nuk mund të ngrejë akuza. Inceneratori i Tiranës nuk po hetohet si grup i strukturuar kriminal. Grupi kriminal është një shpikje e gjyqtarit Dhimitër Lara.
“Kjo çështje është në hetim paraprak, s’mund të jap informacione. Gjyqtari i hetimit paraprak nuk mund të ngrejë akuzë. Ne si prokurore dhe unë… Gjyqtari nuk mund të ndërhyjë në këtë moment procedural“, tha Dumani.
Mbetet për t’u parë nëse ILD do të nisë procedim disiplinor për gjyqtarin. Kujtojmë se Dhimitër Lara është arrestuar për ngacmim seksual.
Në konflikt flagrant interesi, djali i Dhimitër Larës, Aleksandër Lara, është pjesë e BKH-së. I biri bën gati dosje, babai i miraton.
Edhe pse fakti tashmë është i njohur, ILDKPKI, ILD dhe vetë SPAK nuk po veprojnë duke shpërdoruar detyrën dhe cenuar besimin e publikut te drejtësia.