Gjermania është skuadra e dytë që ka siguruar një biletë për në fazën çerekfinale të Euro 2024. Organizatorët fituan 2-0 kundër Danimarkës në “Iduna Park” të Dortmundit, me rebeshin dhe rrufetë që ishin ndihmë për “Panzerat”. Në minutën e 36 ndeshja u ndërpre për 24 minuta, kjo pasi shiu i rrëmbyer i shoqëruar me shkarkesa elektrike mbi stadium bëri që arbitri anglez Michael Oliver t’i dërgonte skuadrat në dhomat e zhveshjes, për të rinisur gjithçka pas qetësimit të situatës.
Ndeshja/ Gjithçka nisi mirë për gjermanët që pas vetëm katër minutash shënuan me Schlotterbeck, por gjithçka u anulua për pozicion jashtë loje nga VAR. Pjesa e parë do mbyllej me këto shifra, ndërsa pak sekonda nga fraksioni i dytë ishte Andersen që shënoi për danezët, por VAR e anuloi golin për pozitë jashtë loje. Duhej një prekje me dorë në zonë dhe ndërhyrja e VAR që Gjermania të merrte epërsinë në minutën e 53 me penalltinë e kthyer në gol nga Havertz. Më pas Musiala në të 68′ shënoi edhe golin e qetësisë për të besuarit e Julian Nagelsmann. Në fund iu anulua një gol edhe Uirtz te Gjermania për pozicion jashtë loje.
Pas 90 minutave Gjermania merr biletën e dytë pas Zvicrës për në çerekfinalet e Euro 2024. Gjermanët do përballen me fituesin e çiftit Spanjë – Gjeorgji, me çerekfinalen që do zhvillohet në datën 5 korrik në stadiumin e Stuttgartit në orën 18:00.
Formacionet zyrtare:
Gjermania: Neuer, Rudiger, Raum, Kimmich, Havertz, Kroos, Musiala, Schlotterbeck, Sane, Gundogan, Andrich.
Danimarka: Schmeichel, Andersen, Vestergaard, Maehle, Christensen, Dalaney, Hojlund, Eriksen, Skov Olsen, Bah, Hojgjerg.