Nuk ka fund skandali me vonesat e fluturimeve në aeroportin e Tiranës të sjellë nga kompanitë low cost, Wizz Air dhe Ryanair. Pothuajse të gjitha udhëtimet e parashikuara për mbrëmjen këtë të mërkurë, në nisje dhe në ardhje, nga këto dy kompani janë shtyrë. 13 fluturime drejt Rinasit dhe 15 të tjera në nisje nga Aeroporti i Tiranës kanë qenë me vonesë. Report Tv mësoi se në Romë, avioni i Ryanair që duhej të nisej në orën 18:30 i ka ngarkuar pasagjerët me 15 minuta me vonesë dhe nuk lejohet të niset për shkak të trafikut ajror. Pasagjerët u detyrua në rrinë në avion për të paktën një orë.
Vetëm për shkak të këtyre kompanive Low Cost, rrezikon shumë imazhi i Aeroportit të Tiranës. Nëse do të shikojmë vlerësimin në faqen “Flight Radar” shikojmë se për sot Rinasit i është dhënë kodi 5, që do të thotë vonesa shumë të gjata dhe anulime të shpeshta. Në ardhje ka një mesatare vonesash prej 86 minutash sot, ndërsa në nisje një mesatare prej 60 minutash për fluturim. Shifra të tmerrshme shërbimi dhe dëmtimi imazhi, dhe të ardhura vetëm nga Wizz Air dhe Ryanair. Vetëm ditën e hënë në Rinas kanë kaluar 43 000 mijë pasagjerë në 125 fluturimeve. Një fluks shumë i madh që kërkon përpikmëri, ndërsa pavarësisht vonesave të herëpashershme, ndaj kompanive nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet vendase por qoftë edhe ato të mbërritjes. Udhëtarët shprehen gjithnjë të shqetësuar me shërbimet e kompanisë low cost, të cilat i cilësojnë shpesh skandaloze.