Denar Biba i ‘Konkurrencës’ i “qan” hallet zhvatësit “One Albania”: S’e hetuam se ju prish serveri dhe humbën shumë lekë!

Kryesore

Publikuar: 09/06/2024

Denar Biba i ‘Konkurrencës’ i “qan” hallet zhvatësit “One Albania”: S’e hetuam se ju prish serveri dhe humbën shumë lekë!

Skandalet nga kreu i Autoritetit të Konkurrencës Denar Biba nuk kanë fund. Edhe pse qytetarët shqiptarë e dinë që kompania ‘One Albania’ nuk përmbush kriteret dhe abuzon me tarifat celulare, për kreun e Autoritetit të Konkurrencës kjo nuk është një problematikë.

Kjo gjë u vu re edhe gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, ku Biba u është përgjigjur pyetjeve lidhur me konkurrencën e munguar për tarifat celulare të kompanisë “One Albania”.

Në vend që të mendojë për dëmin që i ka shkaktuar qytetarëve, Biba i del në mbrojtje kompanisë “One Albania” dhe madje shqetësohet për humbjet që ka pasur kompania si shkak i një problemi me serverat.I ndodhur në këto kushte, Biba, “zyrtari më i korruptuar” ka ndjerë keqardhje për humbjet monetare që ka pasur kompania dhe ka vendosur të mos nisë një hetim ndaj saj.

“Kompania në fjalë kishte humbur një numër domethënës klientësh për shkak të një problemi teknik. Ndërruan serverat dhe patën probleme. Kur ti humbet treg, humbet para, nuk e di si mund të identifikohet shkelje e ligjit nga autoriteti i konkurrencës. Në këtë pikë vlerësuam se nuk ishte e nevojshme për të shkuar në hetim”, tha Biba.

Kompania ‘One’ është denoncuar shpesh herë nga qytetarët qoftë për çmimet e larta apo edhe për shërbimin celular të dobët. Përpos kësaj, qytetarët kanë denoncuar edhe sjelljen arrogante të punonjësve ndaj klientëve duke mos i ofruar një shërbim korrekt.

One është denoncuar për cilësinë e ulët të shërbimit, pas bashkimit me Albtelecom. Autoriteti i Konkurrencës dhe AKEP autorizuan bashkimin e dy kompanive me argumentin se ALBtelekom ishte në vështirësi financiare për t’iu përgjigjur zhvillimeve teknologjike, por nga ana tjetër, nuk u vlerësua rrisku i përqendrimit të tregut, në vetëm 2 kompani.

Risjellim në vëmendje se Kompania “One Albania” është gjobitur në nëntor të vitit të shkuar (2023) me një gjobë prej 10 milionë lekësh të rinj nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Sipas AKEP, kjo gjobë është vendosur pas ankesave të shumë qytetarëve për shërbimin e dobët dhe ndërprerjet pa paralajmërim të rrjetit si dhe problemeve me mbylljen e kontratave.

AKEP ka theksuar se kompania “One Albania” duhet të respektojë detyrimet ligjore dhe kontraktore lidhur me kufizimet e shërbimeve dhe njoftimin e pajtimtarit përpara zgjidhjes e kontratës.

Në vendimin e bërë publik në nëntor të 2023-shit thuhet se “One Albania” duhet të respektojë detyrimet ligjore lidhur me publikimin e informacionit transparent, të krahasueshëm, të përshtatshëm dhe të përditësuar për çdo detyrim në përfundimin e kontratës, si dhe kushtet e përgjithshme për aksesin e përdorimin e shërbimeve të ofruara për përdoruesit fundorë.

Ndërkohë, AKEP i kishte lënë një afat 60 ditor kompanisë “One Albania” për të zgjidhur të gjitha problematikat e hasura me shërbimet e saj.

“Sipërmarrësi i komunikimeve elektronike “One Albania” sh.a., të respektojë detyrimet ligjore lidhur me njoftimet e pajtimtarit dhe AKEP për kufizimin ose ndalimin e aksesit në shërbimet e tyre, sipas pikës 2, të nenit 108, të ligjit 9918/2008.

Sipërmarrësi i komunikimeve elektronike “One Albania” sh.a., të analizojë dhe t’í japë zgjidhje shkaqeve teknike dhe mungesës se koordinimit të cilat kanë çuar në shkelje të afateve maksimale të lejuara për portimin e numrit.

Sipërmarrësi “One Albania” sh.a., duhet të rishikojë dhe riparojë të gjitha problemet teknike të evidentuara në arkitekturën e moduleve të sistemit B/00S me qëllim eliminimin e pikave të dështimit si dhe përmirësimin e sistemit brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga vendimi përfundimtar i inspektimit.

Sipërmarrësi “One Albania” sh.a., rekomandohet që gjatë kësaj periudhe 60 (gjashtëdhjetë) ditore të kryejë kontrolle periodike të brendshme si dhe të njoftojë AKEP për rastet e refuzimeve të evidentuara dhe korrigjuara prej tyre.

Sipërmarrësi “One Albania” sh.a., të dorëzoje në AKEP raportime periodike javore, duke analizuar situatën dhe progresin e arritur me qëllim zbatimin e detyrave për korrigjimin e shkeljeve të evidentuara”, thuhej në njoftim.

Kush është mafiozi hungarez që hiqet si pronar i “One Albania”?

Mafiozi hungarez Gellért Zoltán Jászai më 31 mars 2022 bleu mbi 94% të aksioneve të “ONE Albania”, ndërsa më 22 dhjetor 2022, bashkoi shoqërinë “Albtelecom” në “ONE Albania” me miratimin e qeverisë shqiptare, pa kaluar këtë ndryshim të pronësia e huaj në parlament, sepse është sektori strategjik i sigurisë kombëtare të Shqipërisë.

“Pamfleti” publikoi mashtrimin financiar, që bëri hungarezi Gellért Zoltán Jászai me bilancin e vitit 2022, duke e lënë kompaninë “ONE Albania” me një humbje prej 11 milionë eurosh, kur xhiroja vjetore ishte 31 milionë euro, ndërsa fitimi real ishte 12 milionë euro.

Bilanci i parë i vitit 2022 nga ky grup telefonik u dorëzua me një humbje prej 11 milionë eurosh, e ndarë në 5.3 milionë euro humbje për “ONE Albania” dhe 5,7 milionë për “Alb Telekom”; shifra të rreme që taksat i pranuan, sepse hungarezja është miku pazar i Bablokit.

Ndërsa në versionin e dytë të dorëzuar më 26 qershor 2023, i cili zëvendësoi bilancin e parë, grupi telefonik “ONE Albania” deklaroi një humbje prej 12.5 miliardë lekësh, konkretisht 460 milionë lekë për “ONE Albania” dhe 12,4 miliardë lekë për “Albetelecon”.

Mirëpo, si të mos mjaftonin të gjitha këto, Kompania “One Albania” ka rënë pre edhe e sulmeve kibernetike ku u hakuan të dhënat e shqiptarëve dhe të institucioneve shtetërore, mes tyre të drejtësisë, policisë e sigurisë kombëtare që kryejnë shërbimet nëpërmjet rrjeteve të “One Albania”.

Fillimisht, kompania “One Albania” heshti për këtë grabitje të dhënash, pastaj pagoi disa media për ta mohuar sulmin, ndërsa faktet e publikuara dhe reagimi publik, detyruan pronarin e kësaj kompanie të pranonte sulmin nga hakerat.

Në deklarimin e saj, “One Albania” mashtroi duke e quajtur hakerimin “incident i vogël e pa asnjë pasojë” në shërbimet ndaj klientëve si telefoni celulare, fikse e IPTV, kur faktikisht shërbimi u ndërpre dhe pati probleme të shumta deri në mesditë.

Përveç mashtrimit të parë, pronarët e “One Albania”, mashtruan përsëri, duke thënë se të dhënat nuk janë grabitur nga hakerat e janë tepër të sigurta.

Por edhe nëse hakerat nuk do t’i kishin grabitur të dhënat e “One Albania”, database-t e shqiptarëve dhe të institucioneve shtetërore, të drejtësisë, policisë e sigurisë kombëtare, që prej muajit mars 2022 janë në duart e mafies ballkanike e ruse.

Sepse kompania “One Albania”, është 100% në pronësi të hungarezit Gellért Zoltán Jászai, ortaku dhe miku i kryeministrit Viktor Orban dhe i oligarkëve të Vladimir Putinit; fakt që mjafton për t’u bindur, se të dhënat që kalojnë në rrjetet e komunikimit të kësaj kompanie nuk kanë siguri konfidenciale.

Nga ana tjetër kreu i Autorittetit të Konkurencës, Denar Biba që mbron kompaninë që po zhvat xhepat e shqiptarëve njihet për skandalet dhe abuzimet e tij duke u cilësuar edhe si një ndër zyrtarët më të korruptuar në Shqipëri.

Ky perceptim ka baza të forta:

Në shtator të vitit 2021, Denar Biba, si anëtar i Autoritetit të Konkurrencës, me votën e tij, u hoqi oligarkëve të miellit një gjobë me vlerë 5 milionë euro, pasi kishin fiksuar rritjen e çmimit të miellit dhe bukës me anë të një marrëveshje mes tyre, për të vjedhur shqiptarët.

Nga rrëfimi i disa prej oligarkëve të miellit në tavolina të ngushta, Biba ka marrë mbi 500 mijë euro në këmbim të votës së tij, pro kartelit të miellit dhe kundër interesit publik.

Në vend që të ishte shkarkuar dhe marrë i pandehur, kryeministri Edi Rama e bëri Bibën kryetar të Autoritetit të Konkurrencës me ndërhyrjen dhe lobimin e disa oligarkëve që kanë monopolin e tregjeve të caktuara. Pasi u emërua kryetar, Biba pati pafytyrësinë të gënjente Kuvendin duke thënë se nuk kishte pasur propozim për gjobë ndaj kartelit të miellit.

Heqja e gjobës 5 milionë euro për oligarkët e miellit është vetëm një linjë e korrupsionit të Denar Bibës, bashkëshortja e të cilit jo rastësisht ia mbathi nga drejtësia, për të shmangur verifikimin e pasurisë nga Vetingu./Pamfleti