Në 5 janar të vitit 2015, disa persona i zunë pritë në Qafën e Kasharit dhe qëlluan me breshëri armësh ndaj Emiljano Shullazit dhe mikut të tij, Gilmando Danit, duke e plagosur lehtë.
Atentati ndaj Shullazit ndodhi vetëm pak minuta pasi miku i tij, Pajtim Serjani u plagos në një tjetër atentat te Rruga e Kavajës.
Plagosja e Serianit dyshohet se mund të ketë qenë e koordinuar për të futur në kurth Shullazin, i cili mendohet se ka qenë në Fushë-Krujë bashkë me shokun e tij, Gilmando Dani dhe është telefonuar nga dikush për t’a lajmëruar se shoku i tij është qëlluar te Rruga e Kavajës.
Pas kësaj, Shullazi dhe miku i tij, janë nisur drejt Tiranës, pa e ditur se te Qafa e Kasharit do i prisnin persona të panjohur me armë zjarri.
Mbrëmjen e 8 shkurtit 2015, pra gati 1 muaj pas atentatit ndaj Shullazit, u rrëmbye rrëmbyer Enver Stafuka nga disa persona të veshur si policë.
Më 7 prill 2020, sipas dosjes Metamorfoza 3, Arben Ndoka komunikon me një person të paidentifikuar, me të cilin flet rreth planeve për të vrarë Durim Damin, tek i cili dyshon se ka gisht në vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndokës.
Ben Ndoka është bashkuar me Shullazin, Ervis Martinajn dhe Behar Bajrin me qëllim eliminimin e Durim Bamit, për të cilin rezultojnë se janë bërë dhjetëra plane për t’a vrarë, por Bami, duke qenë vetë një ‘shkollë krimi’, ka mbijetuar mes armiqve.
Në një moment, Arben Ndoka thotë se kur e mori peng atë (Stafukën) nxori çdo gjë Mili. Pra, sipas Ben Ndokës, Emiljano Shullazi ka marrë peng Enver Stafukën, i ka nxjerrë çdo informacion përmes torturave dhe më pas e ka zhdukur.
Po pse duhet t’a merrte peng Shullazi shtetasin Enver Stafuka (nëse kjo është e vërtetë) dhe çfarë informacioni i ka nxjerrë?
Versioni më i mundshëm është se Enver Stafuka mund të jetë implikuar në tentativën për të eliminuar Shullazin në 5 janar 2015 ose ka pasur dijeni.
Duke lexuar dosjen ‘Metamorfoza 3’, bazuar në bisedat në Skye, Shullazi investohet nga burgu, për të vrarë Durim Bamin.
Në bisedat me figura të tjera të krimit, Shullazi përmend shpesh si metodë rrëmbimin e një prej rivalëve dhe torturimin e tij me qëllim për të zbuluar ‘gjujtësit’, pra personat që kanë marrë pjesë në atentate të ndaj njerëzve të tij.
Duke zbuluar gjuajtësit dhe urdhëruesit, bëhet identifikimi i armikut dhe plani për asgjesimin e tij.
Nuk dihet se pse Shullazi investohet për të varë Durim Bamin. Mos vallë ka mësuar nga Stafuka se Bami ka gisht nē atentatin ndaj tij në 5 janar 2015?
Para se të thirrej jashtë dhe të rrëmbehej nga 3 persona të veshur si policë, Enver Stafuka ka shkuar në lokal pikërisht me me Durim Bamin, Gentjan Bejtjan dhe Ramazan Rrajën.
Pra, Stafuka, i dënuar disa herë, ishte pjesë e grupit të Bamit.
Por, nga ana tjetër vëllai dhe motra e Enver Stafukës kanë akuzuar Durim Bamin si i implikuar në rrëmbimin dhe zhdukjen e Stafukës.
Nuk kuptohet se për çfarë arsyeje do të investohej Bami për të zhdukur shokun e tij.
Duke lexuar dosjen, Durim Bami tregohet i gatshëm të shesë dhe presë në besë shokët. Në një moment, Durim Bami i thotë Arben Ndokës se është gati t’i nxjerrë në pritë cilindo nga njerëzit e tij, me përjashtim të të vëllait Valter Bamit, me qëllim që Ben Ndoka të marrë hakun për vëllain e tij dhe të mbyllë hesapet me Bamin.
Por, në të njëjtën kohë, Durim Bami bën plan për të vrarë Arben Ndokën.
Gjithsesi, në rastin e Enver Stafukës, nuk dihet nëse Durim Bami ka pasur arsye për t’a shitur dhe prerë në besë. Aq më tepër që Shullazi kërkon asgjesimin e Bamit.