Zbardhen fjalët e para të Azgan Mërnicës para prokurorëve.
“Nuk jam penduar që e vrava policin. Gjithçka ishte momentale”, ka thënë ai.
Ai u vetëdorëzua në polici mbërmjen e djeshme pas dy ditësh në arrati.
Azgan Mërnica vrau me plumb në kokë efektivin e Shqiponjave, Novruz Cenalia mesditën e 13 Majit në fshatin Baltëz të Fierit.
Dëshmia e tij dhënë në polici, kërkon të shtyjë hetimet drejt një akuze tjetër siç është ajo e “vrasjes në kapërcim të kushteve për t’u vetëmbrojtur”.
Sipas Azgan Mërnicës ai ishte duke ecur me makinë dhe së bashku me të ishte dhe nëna e tij.
Mërnica ka thënë se drejtuesi i mjetit tip “Golf 4” me të cilin është shkëmbyer në rrugë, i ka bërë me dorë që të ndalojë.
Polici ka dalë nga makina dhe të njëjtën gjë ka bërë dhe Mernica. Sipas tij polici ka vënë dorën në pistoletë dhe më pas ai ka nxjerrë armën që e kishte me vete dhe ka qëlluar drejt tij për tu vetëmbrojtur.
Kjo dëshmi është marrë me rezerva nga grupi i hetimit, ndërsa sipas tyre pamjet filmike tregojnë krejt të kundërtën. Mërnica ka pranuar në polici se nuk ka pasur asnjë konflikt me punonjësin e policisë, por gjithçka ka ndodhur në çast.