E teksa shumica e votave janë numëruar VMRO-DPMNE kryeson zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Gordana Silanovska-Davkova, kandidatja e VMRO-DPMNE shpalli fitoren dhe falënderoi qytetarët që i besuan asaj për të qenë presidentja e ardhshme e Maqedonisë së Veriut.
“Sinqerisht për disa orë pyes veten se si e kam merituar këtë nder, e di që jam përgatitur, e di që i jam përkushtuar fushatës, e di që kam thënë atë që kam menduar dhe jo atë që dikush ka pritur të dëgjojë, çmimi është i paçmuar për mua”, tha ajo.
VMRO-ja gjithashtu është duke fituar edhe zgjedhjet parlamentare, me 42.92 % të votave. Ndërsa, sa i përket partive shqiptare Fronti Europian deri më tani ka arritur të marrë 121.880 vota, ndërsa koalicioni VLEN 95.454 vota.
Në një deklaratë për mediat kreu i BDI-së, së bashku me kreun e Aleancës për Shqiptarët Ziadin Selën, të cilët janë pjesë e Frontit Europian falënderuan shqiptarët për votat dhe besimin e treguar ndaj tyre.
Gjatë fjalës së tij Ahmeti theksoi se Fronti Europian është forca e dytë politike në vend se dhe nga këto zgjedhje do të dalë me 19 mandate.
“Zgjedhjet kaluan me standarde të pranueshme, është një provim i shtetit i institucioneve për organizimin e zgjedhjeve të lira demokratike, standard të cilin duhet akoma, sepse ne tanimë jemi në prag të anëtarësimit në BE. Do doja të falënderoj të gjithë votuesit e Frontit, të gjithë aktivistët dhe shefat e shtabeve të cilët kanë bërë punën më të madhe e të shkëlqyeshme që ne të dalim fitimtar e krenar.
Të gjithë këta aktivist na kanë bërë krenar sepse jemi forca e dytë politike. Fronti Evropian është në një dallim me oponentin, ne oponent kemi pas VMRO-në sepse VMRO ka ndihmuar VLENIN, por dallimi është mbi 30 mijë vota. Kjo do të thotë që shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët të cilët kanë vepruar në kuadër të frontit janë për anëtarësim të pa-kompromis të vendit në BE”, tha Ahmeti.
Më 8 maj, Maqedonia e Veriut mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në të cilat të drejtë vote kishin 1.8 milion qytetarë.
Rivalët politikë shqiptarë, të Frontit Evropian dhe VLEN-it janë përplasur gjatë fushatës për atë se kush do të duhej të bëhet pjesë e qeverisë së re. VLEN ka marrë ftesë publike nga VMRO-DPMNE-ja për t’iu bashkuar kabinetit qeveritar dhe sipas asaj që kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami raportoi më herët ditën e nesërme pritet që të nënshkruhet koalicioni.
“Koalicioni VLEN doli fitues në të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Nesër nisin negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve, tha Bilall Kasami nga VLEN.
