Bashkëshorti i Olta Xhaçkës, Artan Gaçi është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme.
Pasi ka dalë nga ambientet e SPAK, bashkëshorti i ish-ministres është pyetur nga gazetarët nëse “për çfarë ishte thirrur apo nëse kishte tjetërsuar pronat në jug”.
Por, Artan Gaçi ka refuzuar të përgjigjet duke buzëqeshur para kamerave dhe më pas është larguar.
Bashkëshorti i ish-ministres gëzon edhe statusin e investitorit strategjik. Dosja në fjalë lidhet me dhënien e një prone e cila sipas Belerit është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Beleri akuzon në kallëzimin e tij, kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli.
Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit.
Beleri që është edhe kallëzuesi për këtë çështje akuzon kryebashkiakun Jorgo Goro se ka vendosur një parcelë në një hartë që nuk ekzistonte duke shtuar se edhe numri i pasurisë nuk ekzistonte.