Hetimi pasuror nga SPAK duket se ka bërë sërish bashkë deputetin Agron Çela me Ilir Metën.
Pas bratiksjes së LSI dhe kalimit me PS, Agron Çela është afruar sërish me Ilir Metën. Çela dhe Meta janë shfaqur në një darkë duke kënduar, pirë verë dhe puro.
Në disa video që ka siguruar Prapaskena, Meta dhe Çela shfaqen duke festuar dhe kënduar këngë patriotike.
Nuk dihet nëse Çela është larguar nga PS, duke u kthyer te partia e Metës.
Agron Çela u zgjodh si deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021, nën siglën e LSI.
Çela kaloi me Partinë Socialiste, në fund të vitit 2022, ndërsa u shfaq edhe krah kryeministrit Edi Rama.
“Unë jam shumë korrekt, kam mbyllur një lëvizje me Partinë e Lirisë, po shikoj rrugë të tjera. Kam shumë oferta nga parti të tjera”, tha ai.
Në janar të vitit 2023, pas një foto selfie, ku shfaqeshin Elisa Spiropali, Benet Beci dhe Agron Çela, qarkulloi edhe një video ku ata shfaqeshin duke kërcyer në një festë.
Por, tashmë Çela kërcen dhe këndon me Ilir Metën, i cili është nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta besohet se ka kaluar në emrin e Çelës një pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro, përfshirë grabitjen e Kafes së Madhe në Shkodër, një resort në Velipojë etj.
Nuk dihet nëse këto pasuri po verifikohen nga SPAK-u.
Në 14 nëntor 2023, Agron Çela u thirr në SPAK. Ai u mor në pyetje një javë pas Ilir Metës. Çela nuk dha detaje se për çfarë çështje ishte thirrur.
Prapaskena mëson se Ilir Meta ka materiale shantazhuese për Agron Çelën. Meta besohet se shantazhon Çelën, ashtu siç shantazhoi Sali Berishën me videon për Shkëlzenin dhe Dritan Priftin pasi Prifti i publikoi video-skandalin.
Resorti në Velipojë, grabitje pronash e pastrim parash
Besohet gjerësisht se Ilir Meta ka kaluar në emër të Agron Çelës resortin “Grand Europa Resort” në Velipojë, ndërtuar me para të dyshimta dhe mbi prona të grabitura shtetërore nga Ilir Meta në Velipojë.

Resorti është formalisht në emrin e bashkëshortes së Agron Çelës, Belma Çela, por pronare faktike dyshohet se është Monika Kryemadhi.
Që Belma Çela është pronare në letra dhe Monika Kryemadhi dyshohet se është pronare faktike e resortit po sjellim disa fakte dhe rrethana.
Së pari, deputeti i LSI Agron Çela që iu bashkua PS-së para zgjedhjeve lokale, ka patur vetëm 300 m2 tokë në Pulaj të Plazhit Velipojë.
Së dyti, sipërfaqja e resortit është 23 mijë m2 në tokë shtetërore, e grabitur nga Ilir Meta, duke e kaluar si pronë private të Belma Çelës, në emër të firmës “Xhenis-SH” me letra të falsifikuara.
Së treti, Belma Çela nuk kishte mundësi financiare për investimin me vlerë miliona euro, por paratë ishin të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, me burim jo të ligjshëm.
Së katërti, Meta mori pjesë në nisjen e punimeve në 20 mars 2012, ndërsa në 15 korrik 2018, Monika Kryemadhi ka inaguruar hapjen e këtij resorti në Velipojë.
“Nga dita e sotme, turizmi shqiptar krenohet me këtë resort modern, të ndërtuar falë largpamësisë së çiftit Agron e Belma Çela me mbështetjen e miqve të mirë, të cilët Goni nuk i ka braktisur kurrë”, tha Kryemadhi.
Në ceremoninë e inagurimit, Monika Kryemadhi sillej si pronare dhe respektohej si e tillë, ndërsa Belma Çela si të ishte kamarierja e Monikës, edhe pse çifti Meta-Kryemadhi e bënë konsulle nderi të Mongolisë.
Grabitja e Kafes së Madhe
Agron Çela futi në dorë dhe shkatërroi Kafen e Madhe në Shkodër kur ishte me Ilir Metën.

Si mos të mjaftonte grabitja e pronave në Velipojë ku ndërtoi resortin me para të dyshimta, Agron Çela shkatërroi Kafen e Madhe në Shkodër, një monument kulture dhe identitet shpirtëror, ideuar nga arkitekti Kolë Idromeno.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka kallëzuar përpara organit të akuzës, kompaninë në pronësi të Agron Çelës dhe bashkëshortes së tij, Belma Çela, për veprën penale “Shkatërrim i veprave kulturore”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 160 i Kodit Penal.
Gjatë kohës kur Çela ushtronte detyrën e deputetit, në vitin 2016, kompania “Xhenis-Sh” Shpk në pronësi të tij, fitoi me vendim të këshillit kombëtar të restaurimeve, restaurimin e “Kafes së Madhe”, projektuar nga arkitekti Kolë Idromeno, objekti më i rëndësishëm i kategorisë 1 në Shkodër.
Në vitin 2021, nga inspektimet e KLSH rezultonte se objekti ishte shembur pjesërisht.

Nga ky objekt historik qëndronte në këmbë vetëm fasada kryesore.
Në inspektimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se subjekti “Xhenis–Sh” SHPK filloi punimet në shkelje të nenit 79 të ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë.
Në deklaratën e pasurisë të deputetit Agron Çela të vitit 2021, rezulton blerja e 768 metrave katrorë sipërfaqe truall si dhe ndërtesën e kafes së madhe në Shkodër, për 600 mijë euro.
Me shkresën nr. 144/4, prot., datë 28.05.2021 “Për marrjen e masave urgjente për pezullimin e menjëhershëm të punimeve në objektin “Kafja e Madhe Shkodër” i është kërkuar ish kryetares së bashkisë, Voltana Ademi të ndërpriten menjëherë punimet, por nuk është kthyer asnjë përgjigje nga kryebashkiakja, e cila ka qenë vetë në detyrë në momentin kur Çela ka zaptuar Kafen e Madhe.
Ndryshimi i drejtimit të bashkisë në vitin 2022, duket se ka sjellë përplasje mes Çelës dhe Bardh Spahisë, i cili nuk ka pranuar t’i dalë në mbrojtje deputetit të Metës, në çështjen që ka në prokurori.
Dhe kjo duket se është e vërteta e ‘përplasjes’ mes Spahisë dhe Çelës.
Nuk kuptohet se pse SPAK nuk ndërhyn për të tërhequr dosjen penale nga Shkodra, pasi Agron Çela si deputet është subjekt i SPAK-ut.