Pse prokurori Dritan Nushi nuk arreston ‘gjin gjonin’ e Apelit Sokol Ibin? SPAK konstatoi falsifikimin e dokumenteve. Gjyqtari vijon të bëjë kërdinë me çekiçin e korrupsionit në dorë

Krim & Korrupsion

Publikuar: 25/04/2024

Pse prokurori Dritan Nushi nuk arreston ‘gjin gjonin’ e Apelit Sokol Ibin? SPAK konstatoi falsifikimin e dokumenteve. Gjyqtari vijon të bëjë kërdinë me çekiçin e korrupsionit në dorë

Gjyqtari pranë Gjykatës Administrrative të Apelit, Sokol Ibi, i njohur si ‘gjin gjoni’ i Apelit, vijon të bëjë kërdinë me çekiçin në dorë, duke falsifikuar dokumentet gjyqësore, duke dhënë vendime korruptive dhe në konflikt interesi.

Nga një verifikim paraprak, SPAK ka konstatuar se gjyqtari Sokol Ibi ka konsumuar veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në një proces gjyqësor për pronësinë e një hidrocentrali.

Me një shkresë të datës 13 qershor 2013, SPAK e ka referuar çështjen për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, pasi gjyqtari Ibi nuk ishte subjekt i SPAK-ut dhe as veprat penale të dyshuara nuk janë në kompetencë të SPAK-ut.

Prapaskena mëson se çështja e gjyqtarit Sokol Ibi po hetohet nga prokurori i Tiranës, Dritan Nushi. Kanë kaluar 10 muaj që kur SPAK ka referuar dosjen në prokurorinë e Tiranës. Nuk dihet se çfarë veprimesh hetimore ka kryer prokurori Nushi dhe pse nuk kërkon një masë ndalimi ose pezullimi nga detyra për gjyqtarin Sokol Ibi, për të cilin SPAK ka konsatuar inmplikimin në falsifikim dokumentesh.

Prokurori Dritan Nushi është konfirmuar në detyrë në janar të këtij viti nga Komisioni i Vetingut, me shumicë votash.

Gjyqtari Sokol Ibi, i cili u ka përvetësuar edhe pronat e anëtarëve të familjes së tij, vijon të ‘livadhisë’ prej 10 muajsh në Gjykatën e Apelit, duke dhënë vendime të dyshimta dhe cenuar besimin e publikut te drejtësia, tashmë edhe falë mosveprimit të prokurorit Dritan Nushi.

Bëmat e Sokol Ibit

Komisioni i Vetingut konfirmoi në detyrë gjyqtarin Sokol Ibi përmes një vendimi tejet të dyshimtë dhe të paprecedentë.

Gjatë procesit të Vetingut, është konstatuar se Sokol Ibi, kur ishte kryetar i Gjykatës Administrative Korçë Shkalla e Parë kishte punësuar sekretaren gjyqësore V.P pa procedura rekrutimi dhe bazuar në një ligj të shfuqizuar për administratën gjyqësore.

Komisioni i Vetingut ka konstatuar se Ibi nuk ka deklaruar sipas ligjit pasurinë, duke mos deklaruar një godinë që shërbente për depozitim drush dhe një sipërfaqe toke në Pogradec.

Për shit-blerjen e banesës nga babai në vitin 2002, KPK konstatoi se figuronin dy kontrata të së njëjtës datë, të nënshkruara nga e njëjta notere, ku pasqyrohen të njëjtat pasuri, por me vlera të ndryshme, në njërën 100 mijë lekë dhe në tjetrën 145 mijë lekë.

Ndërkohë, për një ngastër toke që e ka blerë po nga prindërit e tij, Komisioni ka gjetur se kontrata e shit-blerjes është kryer pa vullnetin e motrës, e cila rezultonte të ishte bashkëpronare.

Pra një gjyqtar që i ‘vjedh pronën’ motrës së tij, si mund të japë drejtësi për mosmarrëveshje pronësore?

Komisioni i Vetingut ka evidentuar pamundësi për krijimin e dy depozitave bankare nga Sokol Ibi me vlerë totale rreth 7 milionë lekë para nisjes së detyrës nga ana e gjyqtarit Sokol Ibi. Për këto depozita, gjyqtari ka deklaruar si burim të ardhurat e përfituara nga vetëpunësimi në bujqësi dhe bursa e tij si student. 

Pra, gjyqtari ka kursyer duke mbjellë domate dhe nga bursa si student, e cila nuk mjafton as për të blerë fletore.

Komisioni i Vetingut ngriti dyshime edhe lidhur me përdorimin e një autoveture tip Benz të blerë nga babai i gjyqtarit në vitin 2008.

Gjyqtari nuk disponon një leje drejtimi, për rrjedhojë janë ngritur dyshime lidhur me qëllimin e blerjes së këtij mjeti, pasi rezulton se është përdorur nga gjyqtari Ibi.

Nga analiza financiare, Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare të prindërve për blerjen automjetit në fjalë.

Komisioni konstatoi gjithashtu pamundësi financiare të prindërve të Sokol Ibit në vlerën 427 mijë lekë (4 mijë euro) për krijimin e një depozite në vitin 2011.

Lidhur me profesionalizmin, Komisioni i Vetingut ka konstatuar mosrespektimin e afateve në shqyrtimin e disa çështjeve nga gjyqtari Sokol Ibi.

Me gjithë këto bëma, Sokol Ibi u konfirmua në detyrë. Dhe sot qytetarët vuajnë pasojat e çekiçit në duart e tij.