Pas arrestimit të Fatos Tushes nga SPAK në korrik të vitit 2021 për afera me tendera, drejtimin e Bashkisë Lushnje e ka marrë Eriselda Sefa, e cila u konfirmua në zgjedhjet e 2023.
Teksa Fatos Tushe, dikur shitës makaronash në Lushnje, rrezikon dënimin e dytë për fshehje të pasurive produkt i aferave korruptive, Eriselda Sefa duket se po ecën në gjurmët e tij.
Zonja Sefa ka lidhur disa kontrata për punë publike, me vlerë qindra mijëra euro, me kompaninë “ZDRAVA shpk”, me administrator dhe bashkëpronar Dashnor Sinanaj (Zdrava). Janë tendera të shënjuar me ‘flamur të kuq’, për shkak të shenjave të korrupsionit.
Krahas tenderave, zonja Sefa ka firmosur për këtë kompani leje për hotele, karburante dhe përfitime të tjera ekonomike.

(Eriselda Sefa me një nga bashkëpronarët e kompanisë Zdrava, duke vizituar mencën e hotelit të ndërtuar nga Grupi Zdrava në Lushnje)
Bashkëshorti kryebashkiakes së Lushnjes, Eriselda Sefa, Aurel Duli ishte i punësuar pranë kompanisë Zdrava me pagë 186.480 lekë, në një kohë kur Sefa firmoste tendera për kompaninë Zdrava.

Në një kohë kur Aurel Duli punote pranë kompanisë Zdrava (të paktën në letra, pasi nuk besojmë se Duli ka përveshur mëngët për të punuar për Zdravët), bashkëshortja e tij kryetare bashkie firmoste tendera dhe përfitime të tjera për kompaninë Zdrava.
Tendera në konflikt interesi
Në korrik të vitit 2022, Sefa lidhi kontratë tenderuese me “ZDRAVO” për ndërhyrje në infrastrukturën e rrugës Unazë e ish depos së duhanit me fond limit 28.725.352 lekë.
Në garë u futën 14 kompani, disa u skualifikuan për gabime aritmetike në vlera gjatë aplikimit e të tjera për mungesën e certifikatë ISO.
Kështu Sefa e kaloi këtë tender në duart e kompanisë ‘ZDRAVO’.

Duke përdorur pushtetin dhe firmën e saj, zonja Sefa i ka kaluar një pjesë të parave të tenderave në xhepat e familjes së saj, pasi kompania përfituese i paguan bashkëshortin.
Po atë vit, Bashkia e Lushnjes hap tenderin për rehabilitimin e palestrës së shkollës ‘Foto Puka’. Fitues shpallet sërish kompania ‘ZDRAVO’ me fond 21.720.840 lekë për punimet e palestrës së shkollës.
Ndërkohë mes operatorëve të skualifikuar nga gara, kompanitë “2N” shpk, “Boshnjaku B” shpk ofronin një vlerë me të ulët për të kryer po të njëjtat punime.
“ZDRAVA” në pronësi të Faik, Dashnor dhe Kastriot Sinanaj dhe Ylli dhe Arben Zdrava, fitoi në mënyrë të dyshimtë dhe klienteliste, kontratat me firmë të Eriselda Sefës, e cila është në konflikt interesi për tenderat që i ka dhënë ndaj kompanisë ku është i punësuar bashkëshorti.
Kjo kompani ka fituar rreth 1 milionë euro edhe nga fondet që Bashkimi Evropian ka akorduar për bujqësinë në Shqipëri.

Nuk kemi të dhëna nëse fondi është përfituar në mënyrë të paligjshme.
Por, SPAK dhe Zyra Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik po hetojnë vjedhjen e mundshme të fondeve që Bashkimi Evropian ka akorduar për bujqësinë në Shqipëri.
Komisioni Evropian pezulloi 3 muaj më parë fondet e IPARD II, pas dyshimeve për korrupsion nga AZHBR, autoriteti përgjegjës për shpërndarjen e parave.
AZHBR-ja, gjatë kohës së ndarjes së fondeve, është drejtuar nga Frida Krifca. Para se të shkarkohej si ministre e Bujqësisë, Frida Krifca nisi t’u kërkonte klentëve të saj që të rikthenin paratë që kishin marrë gjoja për të ngritur ferma, por që kishin ngritur vila, restorante etj.
Paratë kanë përfunduar në duart e bosëve të drogës, ‘profesorëve’ të krimit, oligarkëve, shkatërruesve të Dhërmiut, ‘ujqërve’ të tendarave, familjarëve të politikanëve, shoqeve të Krifcës etj.
Nga frika e SPAK-ut, Frida Krifca u kërkon klientëve të kthejnë paratë, por anjë nuk i kthen.