Prapaskena

Aktualitet

Bombardohet një bazë ushtarake në Irak, viktima dhe të plagosur. Izraeli mohon përfshirjen

Publikuar: 20/04/2024

Të paktën një person ka humbur jetën dhe 8 të tjerë u plagosën pasi pesë shpërthime tronditën një bazë ushtarake të mbështetur nga Irani në Irak, e cila strehon trupa të ushtrisë dhe ish-paraushtarakë pro-iranianë nga Hachd al-Chaabi, të integruar në forcat e rregullta irakiane.

Kjo u bë e ditur për mediat ndërkombëtare nga dy burime irakiane të sigurisë. Një zyrtar i MPB-së, saktësoi se si pasojë e sulmit ka pasur “një të vdekur dhe tetë të plagosur” mes forcave të bazës.

Shpërthimet ndodhën në një vend që i përkiste Njësive të Mobilizimit Popullor (PMU), sipas Muhannad al-Anazi, një anëtar i Komitetit të Sigurisë në Guvernatën e Babilonisë, në jug të kryeqytetit Bagdad.

Shpërthimet pranë kryeqytetit irakian të Bagdadit vijnë një ditë pas sulmeve kundër një baze ushtarake në Isfahan, Iran. Një zyrtar amerikan i tha CNN se Izraeli ishte përgjegjës për sulmet në Iran.

Zyrtarët izraelitë dhe amerikanë thanë se asnjëri nuk ishte i përfshirë në shpërthim. Forcat e Komandës Qendrore të SHBA shpjeguan në X se “Shtetet e Bashkuara nuk kryen sulme ajrore në Irak sot”.

Në një postim të shkurtër, Centcom tha se ishte në dijeni të “raporteve se SHBA ka kryer sulme në Irak, por ky informacion është i rremë”, shton Komanda.

Në një video të publikuar në mediat sociale, Rezistenca Islamike në Irak njoftoi se kishte lëshuar disa dronë kundër “një objektivi jetik” në Eliat, në Izraelin jugor, në kufirin midis Egjiptit dhe Jordanisë.

“Sulmi – thekson grupi që bashkon një sërë forcash pro-iraniane irakiane – është përgjigje ndaj shkeljes së sovranitetit të Irakut nga armiku sionist dhe ndaj sulmit të tij kundër Forcave të Mobilizimit Popullor irakian (PMF)”.



Më të lexuarat