I vodhi pronën edhe motrës së tij, gjyqtari matrapaz Sokol Ibi nën hetim për falsifikim dokumentesh e shpërdorim detyre, kërdi në Apelin Administrativ

Krim & Korrupsion

Publikuar: 18/04/2024

I vodhi pronën edhe motrës së tij, gjyqtari matrapaz Sokol Ibi nën hetim për falsifikim dokumentesh e shpërdorim detyre, kërdi në Apelin Administrativ

Prokuroria e Tiranës po heton gjyqtarin pranë Gjykatës Administrrative të Apelit, Sokol Ibi, për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Prapaskena mëson se veprimtaria e gjyqtarit të Apelit Administrativ po hetohet nga prokurori Dritan Nushi, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e ndalimit.

Fillimisht, ndaj gjyqtarit të denoncuar si matrapaz, Sokol Ibi, është referuar një kallëzim penal në SPAK për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës në formën e organizatës kriminale.

SPAK ka bërë një verifikim paraprak duke konstatuar se nuk ka indicie për organizatë kriminale. Për rrjedhojë, SPAK e ka referuar kallëzimin penal për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës.

Në kallëzim pretendohet se gjyqyari ka kryer veprime arbitrare, nuk njofton palët në procese gjyqësore, falsifikon dokumente, gjykon në konflikt interesi, jep vendime me natyrë korruptive etj.

Gjatë procesit të Vetingut, është konstatuar se Sokol Ibi, kur ishte kryetar i Gjykatës Administrative Korçë Shkalla e Parë kishte punësuar sekretaren gjyqësore V.P pa procedura rekrutimi dhe bazuar në një ligj të shfuqizuar për administratën gjyqësore.

Komisioni i Vetingut ka konstatuar se Ibi nuk ka deklaruar sipas ligjit pasurinë, duke mos deklaruar një godinë që shërbente për depozitim drush dhe një sipërfaqe toke në Pogradec.

Për shit-blerjen e banesës nga babai në vitin 2002, KPK konstatoi figuronin dy kontrata të së njëjtës datë, të nënshkruara nga e njëjta notere, ku pasqyrohen të njëjtat pasuri, por me vlera të ndryshme, në njërën 100 mijë lekë dhe në tjetrën 145 mijë lekë.

Ndërkohë, për një ngastër toke që e ka blerë po nga prindërit e tij, Komisioni ka gjetur se kontrata e shit-blerjes është kryer pa vullnetin e motrës, e cila rezultonte të ishte bashkëpronare.

Pra një gjyqtar që i ‘vjedh pronën’ motrës së tij, si mund të japë drejtësi për mosmarrëveshje pronësore?

Komisioni i Vetingut ka evidentuar pamundësi për krijimin e dy depozitave bankare nga Sokol Ibi me vlerë totale rreth 7 milionë lekë para nisjes së detyrës nga ana e gjyqtarit Sokol Ibi. Për këto depozita, gjyqtari ka deklaruar si burim të ardhurat e përfituara nga vetëpunësimi në bujqësi dhe bursa e tij si student. 

Pra, gjyqtari ka kursyer duke mbjellë domate dhe nga bursa si student, e cila nuk mjafton as për të blerë fletore.

Komisioni i Vetingut ngriti dyshime edhe lidhur me përdorimin e një autoveture tip Benz të blerë nga babai i gjyqtarit në vitin 2008.

Gjyqtari nuk disponon një leje drejtimi, për rrjedhojë janë ngritur dyshime lidhur me qëllimin e blerjes së këtij mjeti, pasi rezulton se është përdorur nga gjyqtari Ibi.

Nga analiza financiare, Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare të prindërve për blerjen automjetit në fjalë.

Komisioni konstatoi gjithashtu pamundësi financiare të prindërve të Sokol Ibit në vlerën 427 mijë lekë (4 mijë euro) për krijimin e një depozite në vitin 2011.

Lidhur me profesionalizmin, Komisioni i Vetingut ka konstatuar mosrespektimin e afateve në shqyrtimin e disa çështjeve nga gjyqtari Sokol Ibi.

Me gjithë këto bëma, Sokol Ibi u konfirmua në detyrë. Dhe sot qytetarët vuajnë pasojat e çekiçit në duart e tij.