Sulmet e Ilir Metës ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit, kanë shkaktuar “tërmet” përgjatë ditëve të fundit. Ndërkombëtarët nuk kanë qëndruar pa reaguar dhe pa dënuar deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë.
Së fundmi, edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, i është bashkuar kolegëve diplomatë. Përmes një reagimi zyrtar ai ka mbështetur institucionin e SPAK dhe ka theksuar se Shqipëria duhet t’i japë fund pandëshkueshmërisë, në interes të qytetarëve.
Postimi i Ambasadës britanike:
Ambasadori britanik, Alastair King-Smith përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Ambasadori konfirmoi në takimin e përbashkët të donatorëve të SPAK, javën e kaluar, angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar asistencë shtesë dhe ngritjen e kapaciteteve për punën e SPAK, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga kryeprokurori i posaçëm, Altin Dumani dhe Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA), si dhe hetimet e përbashkëta me agjencitë e tjera ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar.