Të dhënat e TIMS/ Prokuroria vendosi zyrtarisht nën akuzë drejtorin e IT në Policinë e Shtetit, AMP: Ka dyshime të arsyeshme se është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar

Aktualitet

Publikuar: 09/04/2024

Të dhënat e TIMS/ Prokuroria vendosi zyrtarisht nën akuzë drejtorin e IT në Policinë e Shtetit, AMP: Ka dyshime të arsyeshme se është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar pas vendosjes zyrtarisht nën akuzë të drejtorit të IT-së Policisë së Shtetit. Prokuroria vendosi sot zyrtarisht nën akuzë drejtorin e IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça pasi dyshohet se eksportoi bazën e të dhënave të TIMS. Lidhur me këtë AMP thotë se ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë se ka dyshime të arsyeshme, se në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar nga Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informacionit dhe persona të tjerë.

Ndaj tij, prokuroria e kryeqytetit ka kërkuar masën e sigurisë së “arrestit në shtëpi” dhe pezullim nga detyra, për ndërhyrje të paligjshme në sistem, duke kopjuar bazën e të dhënave në mënyrë të paautorizuar.

Njoftimi:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit té Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasin E.M., me detyrë Drejtor i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, rezulton se ka dyshime të arsyeshme, se në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar nga Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informacionit dhe shtetas të tjerë. Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.