SPAK urdhëron sekuestrimin e pronave dhe pasurive të grupit të “Baronit të Drogës”, Gëzim Çela

Aktualitet

Publikuar: 01/04/2024

SPAK urdhëron sekuestrimin e pronave dhe pasurive të grupit të “Baronit të Drogës”, Gëzim Çela

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar sekuestrimin e pronave dhe pasurive të grupit të Gëzim Çelës, i njohur edhe si “Baroni i Drogës”, i cili drejtonte rrjetin e tij kriminal nga Fushë-Kuqja.

Bëhet fjalë për sekuestrimin e afro 600 mijë eurove, si dhe një sërë pronash nga automjetet deri tek lokalet të përdorura në emër të anëtarëve të grupit të tij kriminal.

Njoftimi i SPAK-ut

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vijim të veprimeve proceduriale në lidhje me procedimin pasuror Nr.14, të vitit 2023, në kuadër të të cilit me vendimin Nr. 27, datë 09.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka sekuestruar disa pasuri të personave të dyshuar, si të përfshirë në veprimtari kriminale të trafikimit të narkotikëve (njoftimi i mëparshëm https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-10-10-2023/ ), ka vijuar me veprimet hetimore, në lidhje me evidentimin dhe gjurmimin e pasurive të dyshuara me burim të paligjshëm.

Në kuadër të veprimeve hetimore e proceduriale, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në Ligjin Nr. 10 192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (i ndryshuar), me vendimin Nr. 13, datë 17.03.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke vendosur masën provizore të sekuestros të pasurive si më poshtë:

1. Pasurisë së llojit “Njësi Tregëtare”, me sipërfaqe 237 m2, në pronësi të shtetases M.Th., e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 321 120 Euro (sipas kontratës së porosisë së datës 18.02.2008);

2. Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 74 m2, në pronësi të shtetases M.Th., e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 42 200 Euro;

3. Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe totale 77, 2 m2 në pronësi të shtetases M.Th., e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 40 000 Euro;

4. Automjetit BMW X3 3.0D, në pronësi të shtetasit N.Ç.;

5. Automjetit furgon i markës Mercedes Benz, Tipi 639, Modeli Vito 109 CDI, në pronësi të subjektit N.Ç.;

6. Shuma monetare në total prej 4 576 585 Lekë, në llogaritë bankare të shtetasit N.Ç;

7. Shuma monetare në total prej 57 219 Euro, përkatësisht në llogarinë bankare të shtetasit N.Ç. dhe e sekuestruar CASH shtetasit G.Ç;

8. Subjektin “X…….” sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm shtetasin G.Gj, të gjitha asetet e tij, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë dhe pasuritë e luajtshme, automjetet si më poshtë vijon:

· Volkswagen Golf, prodhim i vitit 2015;

· B.M.W., prodhim i vitit 2011;· Volkswagen, prodhim i vitit 2006;· Audi, prodhim i vitit 2007;

· B.M.W., prodhim i vitit 2004;

· Fiat “Doblo”, prodhim i vitit 2014;

· Mercedez Benz, prodhim i vitit 2010;

· Daimler Chrysler, prodhim i vitit 2007;

· Volkswagen Golf, prodhim vitit 2009;

· Volkswagen Golf Tdi, prodhim i vitit 2016

Si u arrestua në Kosovë i “baroni” i drogës Gëzim Çela?

Më 8 Dhjetor 2023 Policia e Kosovës lajmëroi arrestimin e Gëzim Çelës, i njohur në Shqipëri si “baroni i drogës”.

Policia tha se arrestimi u bë në një fshat në Ferizaj, pas një pune intensive operative në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet policore të Shqipërisë.

“Hetuesit policorë nga DHTN-ja kanë arritur që sot rreth orës 17:55, të lokalizojnë vend-ndodhjen e të dyshuarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. I dyshuari G.Ç., (mashkull shtetas i Shqipërisë), në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova”.

“Dyshohet se shtetasi i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të PK-së”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më tej, bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të Departamentit të Krimeve të Rënda në Ferizaj është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë, ku është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.

“Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Restoranti i Gëzim Çelës u përdor si depo hashashi.