Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të dalë nga izolimi që nga 30 dhjetori i vitit të kaluar.
Pas arrestimit, Berisha fillimisht ju drejtua SPAK-ut, për t’i kërkuar leje të marrë pjesë në seancat plenare në cilësinë e deputetit. Por përgjigjja zyrtare e Prokurorisë së Posaçme ishte mjaft e qartë: Si çdo qytetar tjetër, Berishës në arrest shtëpie, nuk i lejohet të shkojë në punë, duke përforcuar argumentin, se është në të njëjtat kushte dhe rregulla si të paraburgimit, ku askush s’mund të marrë pjesë në aktivitete jashtë burgut.
Me të njëjtën kërkesë, për të fituar lejen për në Kuvend, Berisha iu drejtua GJKKO-së, dhe njëlloj si përgjigja e parë edhe gjyqtarja Irena Gjoka, dha të njëjtat argumente dhe ia rrëzoi kërkesën ish-kryeministrit.
Por ky i fundit nuk do të dorëzohej dhe vendosi ta dërgonte çështjen në Apel, por pa rezultat. Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi kërkesën e tij për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend, në funksion të mandatit të tij të deputetit.
I ndodhur në këto kushte, ku asnjëra nga manovrat e përdorura prej tij dhe avokatëve të tij nuk e nxorën dot nga izolimi, Berisha ka vendosur të luaj kartën e fundit. Ish kryeministri e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 9 prill për zhvillimin e seancës gjyqësore për kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për liri nga masa e “arrestit në shtëpi”.
Në orën 13:30 të datës 9 prill, një Kolegj Penal me relator gjyqtarin Sokol Binaj do të shqyrtojë në Dhomë Këshillimi rekursin e bërë nga ish-kryeministri.
Në fund të kësaj seance do të vuloset fati i ish-kryeministrit, i cili më 9 prill ezauron të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe mund të mbetet në “arrest shtëpie” për një kohë të gjatë.