Altin Dumani nga Zogje, ku u krijua çeta e parë partizane në Dibër. Ja pse Berisha e quan ekstremist

Kryesore

Publikuar: 22/03/2024

Altin Dumani nga Zogje, ku u krijua çeta e parë partizane në Dibër. Ja pse Berisha e quan ekstremist

Kreu i SPAK-ut Altin Dumani është sot njeriu më popullor në Shqipëri, me një nivel të frikshëm besueshmërie në raport krerët e politikës dhe faktorë të tjerë në vend, duke lënë pas edhe përfaqësuesit fetarë.

Sipas një sondazhi nga Barometri i Euronews Albania, publikuar muajin e kaluar, vetëm selitë e huaja diplomatike e tejkalojnë SPAK-un për besueshmëri në vend.

Të gjitha institucionet e tjera, duke përfshirë ato fetare, Presidentin, qeverinë, pushtetin vendor, policinë apo median, mbeten pas SPAK-ut.

Rritja e besueshmërisë së SPAK është meritë ekskluzive e Altin Dumanit.

Shifrat treguan se deri në nëntor 2022, kur SPAK drejtohej nga Arben Kraja, besueshmëria ishte 12.2 %. Kraja mbahet mend më shumë për ankesën publike se SPAK-un e kërcënonin portalet, kur në fakt mendia, pas SHBA-ve, është aleati më i madh i SPAK-ut.

Në dhjetor 2022, Altin Dumani, me veton e amerikanëve, zgjidhet kryetar i SPAK-ut.

Sipas sondazhit, brenda vitit besueshmëria te SPAK u rrit nga 12.2 % në 26.16%.

Ndërkaq, në shkurt të vitit 2024, 33.6% besojnë te SPAK, me rritje të konsiderueshme nga nëntori i 2022-t që ishte 12.2.

Si kurrë më parë, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Todd Robinson, u takua fillimisht me Altin Dumanin dhe më pas me përfaqësues të qeverisë.

Krerët e politikës së Tiranës, të perceptuar edhe si kokat e korrupsionit me kollare, publikisht, si dhe krerët e krimit të organizuar jo publikisht, i kanë shpallur luftë Altin Dumanit. Do të ishte e dyshimtë dhe mbase shqetësuese, nëse do ishte ndryshe.

Sali Berisha, nga ballkoni ku është izoluar si i korruptuar i dyshuar, e ka shpallur SPAK-un organizatë kriminale. …unë kam sulmuar me ashpërsinë më të madhe prej dy vitesh Skapin si organizatë kriminale, si grupe të strukturuara kriminale.

Ilir Meta, i perceptuar si ‘aligatori’ i korrupsionit në Ballkan dhe politikani më i pabesueshëm sipas sondazheve, e konsideron SPAK-un dhe Altin Dumanin si vegla të Edi Ramës.

Nga ana tjetër, vetë Edi Rama, ndonëse e konsideron SPAK-un si produkt i vullnetit të PS, është i shqetësuar nga veprimtaria e SPAK, duke mos i kursyer herë pas kritikat për sjelljet e BKH-së në raport me zyrtarët publikë apo për bllokimin nga SPAK të pasurive publike, të cilat qeveria i ka shënjuar për të ndërtuar resorte 4-5 oligarkë.

Në retorikën e tij nga ballkoni, Berisha e portretizon Altin Dumanin si ekstremist të majtë dhe fanatik.

Dumani nuk ka demostruar në asnjë rrethanë bindjet e tij politike, aq më tepër në dosjet e tij.

Një nga dosja kryesore të Dumanit është hetimi sipas standardeve të FBI ndaj Arben Ahmetajt, i cili ishte numri dy i qeverisë së të mjatës në pushtet.

Por, Altin Dumani është nga Zogjaj, një nga fshatrat e Grykës së Vogël, në  perendim të Dibrës.

Edhe pse sot i braktisur nga shumica e banorëve, Zogjaj, i shtrirë në thellësi të maleve të Dibrës, ruan historinë e frymës  pro perendimore dhe të shpirtit anti osman, anti serb dhe anti fashist të burrave të kësaj zone. Ruan kullat 300-vjeçare, me frëngji në çdo kat,
nga të cilat mund të hapnin zjarr disa luftëtarë njëherësh.

Pas luftërave në njërin krah me serbët dhe në krahun tjetër me forcat osmane, në Zogje të Dibrës është formësuar rezistenca e parë anti fashiste.

Pikërisht në Zogje, në shtëpinë e Haxhi Lleshit, në 2 qershor të vitit 1942 është krijuar edhe çeta e parë partizane në Dibër.

Në çetë janë rreshtuar fillimisht 20 partizanë. Përveç anëtarëve të celulës, të pranishëm ishin Demir Gashi, Xhavit Hatipi, Beshir Laçi, Ilmi Çausholli, Musa Lala, Ali Pepa, Sulë Muça, Rrahman Dervishi, Bajram Buci, Nuz Majtara, Shefki Riza Lleshi, Ymer Lleshi, Hamdi Lleshi, Bajram Neziri, Sulë Lleshi, etj. Komisar u caktua Qazim Prishtina, ndërsa komandant Haxhi Lleshi.

Çeta u krijua në Kodrën e Limume, përballë “Vishkullit”, një pemë shekullore dëshmitare e shumë ngjarjeve të mëdha historike të fshatit Zogje.

Natën e formimit të Çetës u vendos të organizohej aksioni i parë tek Gurët e Skënderbeut afër Bulqizës, ku u godit posta ushtarake italiane.

Kësaj ngjarje të shënuar, Hazis Ndreu (Nderi i Kombit) i ka kënduar, ndër të tjera këto vargje:

Në Zogje të Dibrës këndon bilbili
Mbi të nandë malet shëndriti ylli! 

Ka shumë gjasa që Sali Berisha, nisur nga ky kontekst historik, e etiketon Altin Dumanin si ekstremist të majtë.

Por, ashpërsia e sulmeve të Berishës ndaj Altin Dumanit, mund të reflektojë një plagë të vjetër.

Nëse Kulla e Berishës në Viçidol, sipas dëshmive të luftëtarëve të UÇK dhe e truprojës së tij, ka shërbyer si bazë e UDB-së së Beogradit, kullat në Zogje janë simbol rezistence ndaj forcave serbe.

Nëse për Kullën e Berishës si bazë e UDB ka vetëm dëshmi, është fakt se Berisha theu embargon e OKB duke furnizuar me naftë makinerinë e luftës së Millosheviçit, se është dhëndër i Beogradit, se ka flirtuar me qarqet iraniane, se i shiti detin Greqisë, se u ka shpallur luftë të gjithë ambasadorëve amerikanë në Tiranë dhe se është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.