Hetimi i ngjarjeve të vjetra dhe dhënia fund e pandëshkuemërisë është kërkesa kryesore e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla për drejtuesit e Policisë së Shtetit. Hapja e dosjeve të krimeve të vjetra është edhe në fokus të SPAK-ut.
Një numër krimesh të hershme po zbardhen nga zbërthimi i aplikacioneve të komunikimit si dhe nga të penduar.
Mesditën e 10 qershorit 2014, një ngjarje e rëndë tronditi Shqipërinë. Studentja 21-vjeçare e Fakultetit Ekonomik, Iris Belba, u raportua se u hodh nga kati 17 i ndërtesës së njohur si “Sky Tower” në zonën e ish Bllokut.
Versioni zyrtar i vetëvrasjes, për shkak të depresionit të pretenduar, u mbulua me një hije të theksuar dyshimi, pasuar me një hetim gjysmak dhe po aq të dyshimtë.
Sipas një versioni jo zyrtar, i cili mund të konfirmohet vetëm nga hapja e kësaj dosje, Iris Belbën e ka hedhur nga kati i 7 i “Sky Tower” një biznesmen, emri të cilit del në disa dosje të SPAK-ut. Pra nga kati i shtatë, jo lokal.
Sipas këtij versioni, biznesmeni ka hedhur të renë pas një grindje, ndërsa më pas ka hapur lajmin sikur është hedhur nga kati 17 i Sky Tower, duke paguar më pas qindra mijëra euro për manipulimin e hetimeve.
Argumentet pro vrasjes
Së pari, Kujtim Belba, xhaxhai i Iris Belbës, mohoi që e reja të të ishte me depresion, mohoi se prindërit e saj ishin ndarë, mohoi zërat se Irisi e mori vendimin për ikjen nga kjo botë për shkak të mësimeve, mohoi versionin e vetëvrasjes dhe ngriti dyshime të forta se Irisin e kishin vrarë. “…Nuk e gjunjëzonin provimet atë kurrë. S’e kishte problem fare. Shkollën e kishte marrë aq lehtë sepse ajo mësonte…. Depresion? Jo, asnjëherë nuk ka pasur depresion“.
Së dyti, policia dhe prokuroria, çuditërisht, nuk pyeti familjarët e të ndjerës Iris Belba, duke evituar një nga veprimet kryesore hetimore, por nxituan duke mbyllur dosjen si vetëvrasje.
Së treti, Sky Tower ka pasur dhe ka elementë të lartë sigurie në lartësi të mëdha. Dhe nëse e kishte ndarë mendjen Irisi për aktin ekstrem, si ka mundësi që zgjodhi Sky Tower, vendin e krimeve dhe pazareve?
Së katërti, asnjë dëshmitar nuk ka konfirmuar se ka parë studenten në momentet para hedhjes apo kur është hedhur nga kati i lartë i ndërtesës.
Së pesti, Sky Tower është kulla më e monitoruar me kamera. Si ka mundësi që nuk ka pamje filmike që tregojnë srudenten kur ndërmerr aktin ekstrem?
Së gjashti, çfarë kanë dëshmuar shoqet e saj? A janë kërcënuar? Ku ndodhen sot? Pse u lanë jashtë hetimeve të dyshuarit? Çfarë nxjerrin komunikimet? Qelizat telefonike? A kishte qenë edhe herë të tjera Irisi te Sky Tower dhe pse?
Së shtati, Sky Tower është një nga kullat epike të pazareve dhe zhvatjeve të pasurive publike, e skemava të korruptive, mashtrimit, pastrimit të parave dhe e korrupsionit me kollare. Jo rastësisht, Sky Tower reflektohet në disa dosje të SPAK-ut si vendi ku janë organizuar skemat më të fikshme të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sky Tower njihet ndryshe si kulla e krimit në Shqipëri. Shumë pushtetar dhe ish pushtetar me zyra te kjo kullë janë parë duke hyrë dhe dalë të zverdhur nga dera e SPAK-ut, janë nën hetim dhe madje disa në kërkim për korrupsion dhe pastrim parash.
Së teti, personazhi i dyshuar që fshihet pas këtij krimi është një biznesmen i fuqishëm, me lidhje të errëta dhe me forcë ndikuese për shkak të lidhjeve politike dhe parave të pista.
Së nënti, në këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë edhe personazhe të tjerë në manipulimin e provave të krimit, pengimin e drejtësisë dhe ndërhyrje për të mbuluar krimin e dyshuar, personazhe që më parë kanë qenë deputetë, status nga i cili janë subjekte të SPAK-ut.
Së dhjeti, rol të dyshimtë ka edhe Sulo Hadëri, në atë kohë dekan i Fakultetit Ekonomik, i cili tha se Iris Beblbës i qëndronte afër sepse ishte ishte e stresuar. Dalja e Sulo Hadërit shton dyshimet se kemi të bëjmë me një vrasje, pasi Hadëri nuk është as psikolog dhe as psikiatër që mban afër studentet. Nëse SPAK hap dosjen, duhet të verifikojë raportet dhr interesat e Hadërit me grupin mafioz të Sky Tower, disa anëtarë të të cilit kanë qenë petadogë te Fakulteti Ekonomik, detyrë që e shfrytëzonin për të punë të pista dhe hamshorllëqe.