Sot në orën 13:30 ishte parashikuar të zhvillohej Konferenca e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Por mbledhja është shtyrë për një moment tjetër.
Në mbledhjen e sotme do të diskutohej për objektin e komisioneve hetimore të dakordësuara mbledhjen e djeshme.
Sipas burimeve nuk është arritur më pas dakordësia për objektin e këtyre komisioneve dhe prandaj mbledhja e sotme është shtyrë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën politike dhe negociatat me Rithemelimin për kthimin e normalitet në Kuvend dhe negociatat për komisionet hetimore.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’ Rama tha qartë se pazari me “non gratën” nuk ekziston.
“Nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë.
Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë rast nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë”, shkruan Rama.