ILDKP kallëzon Hektor e Skerdi Sinanajn, i ati ia mbathi si gjyqtar, i biri kandidat për prokuror, fshehje pasurie e pazare me gjyqet. Artur Metani i kërkoi KLGJ shkarkimin e Hektorit të madh

Krim & Korrupsion

Publikuar: 02/03/2024

ILDKP kallëzon Hektor e Skerdi Sinanajn, i ati ia mbathi si gjyqtar, i biri kandidat për prokuror, fshehje pasurie e pazare me gjyqet. Artur Metani i kërkoi KLGJ shkarkimin e Hektorit të madh

Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit dhe Pasurive dhe Konfliktit të Interesit ka kallëzuar penalisht gjyqtarin e skandaleve dhe pazareve të Vlorës, Hektor Sinanajn, bashkë me të birin, Skerdi Sinanaj, i cili është kandidat për t’u bërë prokuror.

ILDKPKI ka referuar një dosje në Prokurori për gjyqtarin Sinanaj që ia mbathi nda drejtësia sapo iu afrua Vetingu si dhe për të birin, për fshehje pasurie, konflikt interesi, mashtrim me deklarimin e pasurisë etj.

Hektor Sinanaj u shfaq disa ditë më parë me zë dhe figurë duke bërë pazare dhe shitur gjyqet, ndërsa u zbuluan edhe disa pasuri të tij të fshehura, produkt i korrupsionit me gjyqet.

Ndërkaq, dy javë më parë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor që të shkarkojë nga detyra si gjyqtari i Vlorës, magjistratit Hektor Sinanaj.

Në raportin që Artur Metani i ka dorëzuar KLGJ-së, thuhet se nga ana e gjyqtarit janë ndërmarrë veprime që përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, si edhe në kushtet e konfliktit të interesit.

Sipas raportit të ILD-së, Sinanaj ka përdorur statusin e magjistratit me qëllim krijimin e përfitimeve për të tjerët.

“Nga hetimi disiplinor rezulton se nga ana e magjistratit, janë ndërmarrë veprime që përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, në shkelje të rregullave të papajtueshëmërisë, në kushtet e konfliktit të interesit si dhe në përdorimin e statusit të magjistratit me qëllim krijimin e përfitimeve për të tjerët si dhe në shkelje të parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia”, thuhet ne raport.

Nga hetimi ka rezutuar se gjyqtari ka në pronësi një godinë përpara gjykatës, ambientet e së cilës ua kishte dhënë me qira disa avokatëve, me të cilët ka zhvilluar procese gjyqësore, në disa raste edhe i ka caktuar kryesisht.

Hektor Sinanaj paraqiti me datë 5 janar 2024 kërkesë për dorëheqje pak përpara se të përballej me vettingun.

Më vonë ai dërgoi një tjetër shkresë institucioneve ku në permbajtje shprehej se kërkon revokimin e kërkesës për dorëheqje me qëllim të verifikimit të plotë të figurës nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trashëgimi i korrupsionit

Ashtu si shumë profesione të nderuara si mjek, inxhinier, mësues, këpucar, rrobaqepës, peshkatar etj., edhe korrupsioni dhe hajdutëria ka nisur të trashëgohet në Shqipëri.

Shumë gjyqtarë dhe prokurorë që u shkarkuan si të korruptuar nga Vetingu apo që ia mbathën nga drejtësia sapo u ngushtua laku i Vetingut, kanë përgatitur terrenin, duke katapultuar fëmijët e tyre në Shkollën e Magjistraturës, për t’i bërë gjyqtarë dhe prokurorë.

Edhe pse prindërit e tyre janë damkosur për pasuri të paligjshme dhe pastrim parash, KLGJ dhe KLP kanë kualifikuar fëmijët për t’u regjistruar në Shkollën e Magjistraturës, duke u vlerësuar si të ligjshme pasuritë.

Një nga rastet është edhe ai i gjyqtarit të Vlorës, Hektor Sinanaj, i cili u shfaq disa ditë më parë me zë dhe figurë duke bërë pazare dhe shitur gjyqet.

Pas skandalit, Hektor Sinanaj dha dorëheqjen nga drejtësia, duke manipuluar edhe datën.

Por teksa Hektori ia mbathi me shpresën se do të gëzojë pasuritë e paligjshme dhe paratë e pazareve me gjyqet, djali i tij Skerdi Sinanaj është bërë gati për t’u bërë prokuror.

Pasi Hektori i madh i korrupsionit ka lëshuar çekiçin e drejtësisë, Hektori i vogël do të veshë pelerinën e zezë.

Skerdi Sinanaj e ka tashmë rrugën e shtruar. Ai mjafton të paraqitet në Prokurori dhe të kapë sa më shumë çështje me lekë. Pazaret dhe vendimet do t’i marrë Hektori, si ujk i vjetër, në mejhanet e Vlorës, siç ka bërë prej vitesh.