Kompania holandeze Bavaria B.V (Royal Swinkels Family Brewers) operon prej 300 vitesh në tregun evropian. Në vitet 2000 kompania holandeze nisi të prodhojë edhe pijen B-52.

Në Shqipëri, B-B2 shpërndahej nga kompania Arseni shpk, me administrator dhe pronar Lavdush Tormetaj, me adresë në Shtoj të Shkodrës.

Nga çirak i kompanisë holandeze, Lavdush Tormetaj krijon B-52 e tij, duke përvetësuar markën e kompanisë holandeze. Çështja shkon në gjyjatë.
Lavdush Tormetaj dhe sekserët nisin t’u afrohen gjyqtarëve me çanta. Skandali vuloset me vendim gjykate në të tre shkallët.
Jo vetëm njihet përvetësimi dhe falsifikimi i markës, por ndalohet kompania holandeze të tregtojë B-52, pasi ekskluziviteti i markës këtu i takon firmës Lavdush Tormetaj.
Dhe ‘me të drejtë’ Lavdush Tormetaj kërkonte zbatimin e vendimeve të gjykatës. Kompania holandeze tregtonte B-52 në të gjithë Evropën, vetëm në Shqipëri, jo.
Gjyqtarët që morën pjesë në këtë skandal të paprecendentë, pasi panë t’u tundeshin para syve çantat me para, i ka përlarë Vetingu si të korruptuar. Në vijim do të flasim për emrat e tyre, ‘arsyetimin’, pasuritë dhe dosjet.
Kur holandezëve iu thanë se duhet të paguanin për të fituar betejën ligjore me falsifikatorët e markës së tyre, ata u shokuan dhe refuzuan kategorikisht për të paguar qoftë edhe një qindarkë.
Kur në çdo raport ndërkombëtar që flet për klimën e biznesit në Shqipëri citohet drejtësia, vendimet e saj, koha e dhënies së vendimeve dhe zvarritja e tyre, si një ndër faktorët kryesorë që pse step sipërmarrjet e huaja, disa nuk e kuptojnë plotësisht mesazhin.
Kur në çdo raport kërkohet goditja e krimit dhe korrupsionit, vetëm një rreth i caktuar e kupton se për kë bien këmbanat.
Me avancimin e Shqipërisë në BE bishtat false të markave evropiane do këputen automatikisht. Mbrojtja e pronësisë intelektuale është kusht i panegociueshëm dhe tejet serioz.
Por, mos vallë nga ky skandal, nga kjo damkë për Shqipërinë, me falsifikatorë, çapaçulë dhe gjyqtarë të korruptuar, shtetit shqiptar mund t’i vijë ndonjë faturë tjetër nga Arbitrazhi sa fatura e Beketit?
Kush mban përgjegjësi dhe pse taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë fatura të korrupsionit të drejtësisë që shembi Vetingu?
A do ta marrë SPAK-u në dorë këtë dosje?
Pse organet ligjzbatuese shqiptare, Krimi Ekonomik, Drejtoria për Pastrimin e Parave, Tatimet etj., nuk verifikojnë bizneset e dyshimta të Lavdush Tormetajt?

A e ka korruptuar Tormetaj krimin ekonomik në Shkodër dhe Tiranë?
Historia
Kompania holandeze, Bavaria B.V. ka nisur prodhimin e pijes energjike në fjalë që prej vitit 2000, çka dokumentohet edhe nëpërmjet kontratave, faturave dhe shitjeve të këtij produkti në tregun shqiptar.
Pas suksesit në tregun vendas ajo nis të zgjerohet nëpër vendet e tjera të Europës dhe e regjistron në shkurt të 2008-s në regjistrat e Organizatës Botërore të Mbrojtjes së Pronësisë Industriale, duke qenë e para në publikimin e kësaj marke, regjistrimin e saj dhe kohë më herët në prodhim dhe tregtim.
Kompania holandeze, Bavaria N.V (Royal Swinkels Family Brewers) regjistroi sipas konventave ndërkombëtare markën për pijen dhe emrin B-52 më 19 shkurt 2008.
Dy muaj më vonë, më 18 prill 2008, në Shqipëri regjistrohet marka B-52 në emër të një kompanie maqedonase, por pa asnjë lidhje me kompaninë holandeze. Ky regjistrim çuditërisht u pranua nga organet shqiptare.
Edhe pse kompania holandeze e regjistroi markën B-52 si në organizatat ndërkombëtare ashtu edhe në Shqipëri filluan një seri peripecish ku rol kryesor në “zgjidhjen” e situatës e morën gjykatat shqiptare.
Rezulton se marka B-52 në Shqipëri fillimisht u regjistrua nga një kompani Maqedonase e cila bëri të njëjtin regjistrim edhe në Maqedoni. Markën e regjistruar në Shqipëri, kompania Maqedonase me një kontratë me çmim simbolik ja shiti ‘Arseni’ Sh.p.k. Kjo kontratë rezulton e kontestuar gjyqësisht dhe proceset janë në pritje për tu zgjidhur në Gjykatën e Lartë.
Siç rezulton, ‘Arseni’ Sh.p.k., dhe kompani të lidhura me të, më herët kanë bashkëpunuar me kompaninë holandeze duke e shpërndarë pikërisht pijen B-52.
Duke qenë se këto kompani kanë shpërndarë më herët këtë produkt, ishin në dijeni se ky produkt ishte prodhim origjinal, i parë dhe i krijuar nga kompania holandeze.
Thënë kjo, bën pak çudi se si kanë pranuar të blejnë një markë nga një kompani maqedonase, markë që e dinin se ishte e kompanisë holandeze.
Edhe pse me kontestime të rëndësishme, sërish kompania “Arseni” fillon betejat me kompaninë holandeze duke “përdorur” gjykatat dhe duke përfituar pronësinë e markës B-52 me vendim gjyqësor. Protagonizmi i gjykatave në këtë rast përbën elementin kyç në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje, edhe pse kjo zgjidhje përbën rastin unikal në Europë dhe botë. Produkti B-52 në të gjitha vendet është pronë e kompanisë holandeze Bavaria N.V (Royal Swinkels Family Brewers) përveç Shqipërisë.
Paralelisht me Shqipërinë, e njëjta betejë u nis nga holandezët edhe në Maqedoninë e Veriut. Këtu, pas kalimit të të gjitha shkallëve, Gjykata e Lartë i dha të drejtë kompanisë holandeze duke çregjistruar markën B-52 nga kompania maqedonase Nediko DOOEL Ljubisha dhe regjistruar atë në emër të të zotit legjitim Bavaria N.V.
Por, çfarë ndodh në Shqipëri?
Kërkesa e kompanisë holandeze për të marrë edhe këtu emrin e pijes së famshme energjike zvarritet nëpër shkallët e gjyqësorit, deri në vitin 2016, kur përmes një vendimi të çuditshëm, Gjykata e Lartë Shqiptare thotë se nuk ka të drejtë të gëzojë emrin B-52.
Arsyeja nuk lidhej me faktin nëse pija që prodhohet e tregtohet nga holandezët me këtë emër në të gjithë Europën ishte pronësi e Bavarias. Gjykata s’e kundërshtoi këtë. Por, citoi parashikime afatesh të aplikimeve të të drejtave të pronësisë intelektuale, duke anashkaluar faktin se kush e ka krijuar këtë markë, kush e ka përdorur i pari, kush e ka tregtuar dhe kush është pronari legjitim.
Sipas vendimit të marrë nga gjykata e lartë shqiptare, kompania Bavaria nuk e kishte më pronësinë e markës dhe si rrjedhojë nuk mund të shiste B-52 në Shqipëri, pasi kishte aplikuar me dy muaj vonesë nga afati 6-mujor që parashikojnë këto konventa për regjistrimin e markës, edhe pse kishte një aplikim ndërkombëtar më të hershëm.
Vendimi u dha nga ish-gjyqtarët e lartë Majlinda Andrea, Guxim Zelenaj dhe Artan Broci. Andrea u largua nën akuzën e korrupsionit, Zenelaj u mor nën hetim nga SPAK për mosjustifikim pasurie, ndërsa Broci u shkarkua nga vettingu po për të njëjtën arsye.
Në të tilla kushte, holandezët e Bavaria N.V. nuk përdorën më markën B-52 por një markë tjetër. Edhe në këtë rast siç rezulton midis palëve ka pasur shumë mosmarrëveshje që si më herët protagonizmi ju ka kaluar gjykatave. Pikërisht gjykatat marrin pishtarin e drejtësisë dhe japin “zgjidhje” në disa raste duke i dhënë të drejtë ‘Arseni’ Sh.p.k., pa asnjë argument bindës apo logjik.
Lufta e ‘Arseni’ Sh.p.k., nëpër gjykata, prokurori, polici, dogana dhe kudo tjetër ndaj kompanisë holandeze Bavaria N.V është marramendëse edhe pse aktualisht asnjë produkt i Bavaria nuk ka lidhje me markën B-52 që Gjykatat i dhanë ‘Arseni’ Sh.p.k.
Lidhur me këtë çështje kompania holandeze ka dërguar disa letra organeve Shqiptare duke kërkuar vëmendje dhe zgjidhje të një situate unike me markën B-52 në Shqipëri.
Edhe pse Shqipëria mbetet ishull i vetëm ku Gjykata ka “sekuestruar” markën B-52 në favor të një çapaçuli lokal, ndryshe nga çdo vend tjetër normal, sërish kompania holandeze ka vijuar me përpjekjet e saj për të kërkuar drejtësi ndaj këtyre padrejtësive.
Imagjinoni për një moment sikur Shqipëria të bëhet pjesë e BE dhe në këtë rast kjo anomali e madhe dhe tërësisht absurde, e krijuar nga gjykata me hije të mëdha dyshimi, të vinte në siklet vetë tregun e hapur të BE.
Në këtë rast Shqipëria duhet të negociojë një “kufizim” më vete duke rezervuar mbyllje tregu për produkte që në BE qarkullojnë lirshëm ndërsa gjykatat Shqiptare i kanë tjetërsuar dhe “sekuestruar” duke e mbyllur këtë treg. Imagjinoni se çfarë ishulli tregtar do të krijohej.