Me paratë e akorduara nga Bashkimi Evropian për të mbështetur fermerët dhe bujqësinë, janë ndërtuar edhe sera për hashash dhe hambarë për fshehjen e ngarkesave të kokainës që vinin nga Porti i Durrësit.
Në vitin 2015, kompania e trafikut të kokainës “Arbi Garden”, me pronar trafikantin Arbër Çekaj, ka përfituar 264 mijë dollarë nga fondet BE-së, përmes Ministrisë së Bujqësisë, për ndërtimin e 9 dhomave frigoriferike në Maninas, gjoja për ruajtjen e frutave.
Siç rezultoi më vonë, dhomat e ndërtuara me fondet e BE-së për bujqësinë, Arbër Çekaj i përdorte si hambar për kokainën që trafikonte nga vendet e Amerikës Latine, përmes Portit të Durrësit, kamufluar me kontenierët me banane.
Ministria e Bujqësisë, deri në vitin 2017, është kontrolluar nga Ilir Meta përmes Edmond Panaritit si ministër dhe Suela Popa, drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësorë dhe Rural. Kjo e fundit, bashkëshorte e Vangjel Tavos, u propozua më vonë nga Rama bashkë me Ridvan Boden anëtare e Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë.
Kur i dha paratë e Brukselit trafikantit Arbër Çekaj për të ndërtuar hambarin e kokainës, Ministria e Bujqësisë, në atë kohë, doli me një njoftim për shtyp.
“Më 4 qershor 2015, grantet e programit IPARD-Like u disbursuan për SE-BI dhe “Arbi Garden”, dy agrobiznese me qendër në Tiranë, të cilët u mbështetën nga ekspertët e CBS gjatë gjithë procesit të aplikimeve.
SE-BI shpk dhe “Arbi Garden” investuan në 9 dhoma frigoriferike moderne, në përputhje me standardet evropiane.
Granti që përfituan këto kompani mbuloi rreth 50% të vlerës totale të investimit.
Këto dhoma të reja frigoriferike do të ndikojnë në rritjen e ndjeshme të fitimeve të klientëve, por gjithashtu do të eliminojnë mbetjet ushqimore, do të mbrojnë mjedisin dhe do t’i ofrojnë klientëve produkte bujqësore të sigurta”, thuhej në njoftim.
Në muajin shkurt të vitit 2018, Policia e Shtetit doli në një konferencë për media, ku deklarou kapjen e një sasie rekord kokaine në Durrës, 613 kilogramë.
Oficerët e policisë thanë se droga ishte gjetur mes bananeve, të cilat silleshin nga Amerika Latine drejt Shqipërisë. Kokaina ishte fshehur pikërisht në dhomat e ndërtuara me paratë e bujqësisë.
Pas zbulimit të kokainës, Ministria e Bujqësisë ia hoqi meritat vetes që i kishte dhënë në 2015, për financimin e Arbi Garden.