Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe në një intervistë në emisionin ‘Studio live’ në Report Tv ka komentuar për herë të parë akuzat e Arben Ahmetajt nga arratia në televizionin e Sali Berishës, kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Braçe i cilësoi akuzat e Ahmetajt përralla, e shtoi se nuk bëhet fjalë për përndjekje politike. Si paralelizëm për këtë rast, Braçe tha se nëse Ahmetaj do të ishte i përndjekur politik, ai do të ishte Leo Messi (futbollist) e kryeministri Rama Taylor, Taylor Swift (këngëtare).
Braçe: Kam rreth 40 vjet që nuk dëgjoj përralla. E kam të pamundur që të dëgjoj përralla në këtë moshë. Kështu që nuk di se çfarë të them. Çfarë pretendon?
Arbëri Hitaj: Ishte një kurth që i është bërë nga Rama, kryetari i bashkisë… (për akuzat e SPAK për aferën e inceneratorëve).
Braçe: A kjo është përndjekje politike dmth?
Hitaj: Sipas Ahmetajt po…
Braçe: Nëse është përndjekje politike. I bie që Rama të jetë Teylor Swift në superboul e radhës dhe unë të isha Leo Messi, por nuk jam. Do të doja të isha por nuk jam.
Më tej tha se çështja e Ahmetajt duhet t’i lihet drejtësisë dhe të mos kthehet në çështje politike si dhe ti jepet fund politikanëve që bëjnë rolin e avokatit, prokurorit, gardianit apo policit për njerëzit e drejtësisë.
“Duhet të jetë thjesht e vetëm e drejtësisë. Dua që politikanët të përjashtohen nga diskutimi I të tilla çështjeve. Ka një problem se janë bërë politikanët të zëshëm në aspektin që marrin atributin e SPAK.
Kërcënojnë në emër të SPAK, thonë ta tregoj unë ty e ta bëj unë ty. Politikanët duhet të kuptojnë një herë e mirë që kjo reforma që u bë në drejtësi ka përcaktuar rolet një herë e mirë. Nëse akuzohet politikani ka nevojë vetëm për avokat, dhe akuza për prokuror.
Të dyja palët për gjykatës. Nuk ka nevojë për politikan në mes që bëjnë avokatin, prokurorin e njërës palë apo politikanë që bëjnë avokatin, prokurorin, gardianin e burgut, policin për prokurorët e gjykatësit.
Ky vend duhet të kthehet në normalitet që cënohet nga politikanët e kriminelët. Vetëm nga këto dy kategori frenohet ky normalitet” tha Braçe në studion e gazetarit Arbër Hitaj.