Një megaoperacion është zhvilluar në Ekuador dhe Spanjë, e si pasojë 30 persona janë vendosur në pranga për dy vepra penale trafik droge dhe pastrim parash. Të kapurit ishin pjesë e grupit të drejtuar nga shqiptari Gramoz (Dritan) Rexhepi. Operacionit, i koduar “La Pampa” ose Gran Fénix 13, nisi që sot në mëngjes. Në Ekador u kontrolluan: Guayas, El Oro, Santa Elena, Cotopaxi, Pichincha, Azuay. Ndërsa në Spanjë operacionet janë zhvilluar në Barcelona, Málaga, Marbella dhe Valencia.
Gjatë aksionit u sekuestruan: 2 ton 377 kg drogë; 450.000 euro, 10 armë zjarri; 25 makina; etj. Sipas medias ekuadoriane, “Dritan G.” ishte drejtuesi i kësaj organizate, e cila merrte drogë nga Kolumbia dhe e dërgonte në Europë. Për të finalizuar kalimin e drogës, organizata pati bashkëpunimin e disa personave që ndihmuan në koordinimin e transportit deri në kufirin me Ekuadorin, konkretisht në provincën e Carchi. Por asnjë e dhënë për ta nuk është bërë me dije. Një tjetër detaj, është edhe fakti që media e cilëson “kokën” e këtij grupi si “Dritan G.”, por hiperlink mbi tekst ka vendosur lajmin e arrestimit të Dritan Rexhepit në Turqi. Pra pa e përmendur, e ka lënë të kuptohet se është ai personi që drejton grupin kriminal, edhe pse aktualisht është në pranga.
Rexhepi u vu në pranga në Turqi, në sajë të bashkëpunimit mes autoriteteve turke dhe atyre italiane, ndërkohë që kishte arritur të largohej nga burgu në Ekuador përmes një arresti shtëpie fillimisht, dhe më pas një arratie nga vendi. Në momentin e arrestimit, Rexhepi ishte në shoqërinë e gruas së tij kolumbiane dhe dy fëmijëve. Ai dyshohet si kreu i një klani të fuqishëm të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine për në Europë. Përveç shpalljes në kërkim nga Shqipëria, ai ka llogari të hapura me drejtësinë dhe në Spanjë, Itali dhe Britani të Madhe.
Rexhepi është cilësuar dhe si një mjeshtër i arratisjeve nga burgu. Fillimisht, ai u arratis në vitin 2007 nga policia e Durrësit pasi këta të fundit e morën për t’i bërë një foto e për ta shpërndarë në media. Ndërkohë një vit më pas ai kreu një arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Pak më vonë një tjetër arrati u regjistrua në Belgjikë. Ai doli nga Kakavija me pasaportën e falsifikuar me gjeneralitetet Lulzim Murataj –pasaportë me të cilën u arrestua në Ekuador- dhe prej datës 16 nëntor 2013, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në Shqipëri. A do të vijë tashmë si i arrestuar? Kjo mbetet ende një pikëpyetje