Binjaket Amy dhe Ano duken si dy pika uji, por menjëherë pas lindjes ato u morën nga nëna e tyre dhe u shitën në familje të ndryshme. Vite më vonë, ata e zbuluan njëri-tjetrën rastësisht falë një shfaqjeje talentesh televizive dhe një videoje të TikTok. Teksa hetonin të shkuarën e tyre ata kuptuan se nuk ishin bebet e vetme që ishin vjedhur në spitalet e Gjeorgjisë dhe shitur, teksa një prej rasteve të fundit është regjistruar në vitin 2005. Tani ato kërkojnë përgjigje.
Amy ecën para e prapa në korridorin e një hoteli në Leipzig. “Jam e trembur, nuk kam fjetur fare. Ky është shansi im për të mësuar çfarë ka ndodhur me ne”.
Motra e saj binjake Ano, tregon një video në celularin e saj. “Kjo është gruaja që mund të na ketë shitur,” thotë ajo teksa përpiqet të kontrollojë nervozizmin.
Dy motrat kanë udhëtuar nga Gjeorgjia në Gjermani për të zbuluar enigmën e fundit të historisë së tyre, nënë e tyre biologjike.
Dy vitet e fundit ato kanë folur me shumë njerëz në Gjeorgji që janë vjedhur nga spitali kur ishin bebe dhe janë shitur në familje të tjera. Askush nuk ka dhënë ende llogari.
Amy e Ano zbuluan njëra-tjetrën pak pasi mbushën 12 vjeç.
Amy Khvitia ishte në shtëpinë e kumbarës së saj duke parë në televizionin programin e talenteve ‘Georgia’s Got Talent’, ku një vajzë që kërcente ngjante njësoj si ajo.