Ashtu si shumë profesione të nderuara si mjek, inxhinier, mësues, këpucar, rrobaqepës, peshkatar etj., edhe korrupsioni dhe hajdutëria ka nisur të trashëgohet në Shqipëri.
Shumë gjyqtarë dhe prokurorë që u shkarkuan si të korruptuar nga Vetingu apo që ia mbathën nga drejtësia sapo u ngushtua laku i Vetingut, kanë përgatitur terrenin, duke katapultuar fëmijët e tyre në Shkollën e Magjistraturës, për t’i bërë gjyqtarë dhe prokurorë.
Edhe pse prindërit e tyre janë damkosur për pasuri të paligjshme dhe pastrim parash, KLGJ dhe KLP kanë kualifikuar fëmijët për t’u regjistruar në Shkollën e Magjistraturës, duke u vlerësuar si të ligjshme pasuritë.
Një nga rastet është edhe ai i gjyqtarit të Vlorës, Hektor Sinanaj, i cili u shfaq disa ditë më parë me zë dhe figurë duke bërë pazare dhe shitur gjyqet, ndërsa u zbuluan edhe disa pasuri të tij të fshehura, produkt i korrupsionit me gjyqet.

Pas skandalit, Hektor Sinanaj dha dorëheqjen nga drejtësia, duke manipuluar edhe datën.
Por teksa Hektori ia mbathi me shpresën se do të gëzojë pasuritë e paligjshme dhe paratë e pazareve me gjyqet, djali i tij Skerdi Sinanaj është bërë gati për t’u bërë prokuror.

Pasi Hektori i madh i korrupsionit ka lëshuar çekiçin e drejtësisë, Hektori i vogël do të veshë pelerinën e zezë.
Skerdi Sinanaj e ka tashmë rrugën e shtruar. Ai mjafton të paraqitet në Prokurori dhe të kapë sa më shumë çështje me lekë. Pazaret dhe vendimet do t’i marrë Hektori, si ujk i vjetër, në mejhanet e Vlorës, siç ka bërë prej vitesh.
Nuk dihet ende nëse SPAK ka nisur hetimet kryesisht pasi emisioni Stop e kapi Hektorin duke bërë pazare me gjyqe, duke marrë para si ata kambistët tek Dollari dhe kthyer gjykatën e Vlorës në dyqan familjar.