Po përmendim dy fakte:
1. Në nëntor 2014, qeveria “Rilindja” bëri kallëzim penal ndaj ish-ministrit Ridvan Bode, për korrupsion dhe vjedhje me koncesionet, tenderët, shitjen e pasurive publike në vitet 2005-2013.
2. Në prill 2015, IKLPDI kallëzoi Ridvan Boden në Prokurorinë e Tiranës, për deklarim të rremë, sipas të dhënave, të afro 5 milionë Euro pasuri të zbuluara dhe refuzim për të bërë deklarim.Kallëzimi që bëri ILKPDI, u pushua me ndërhyrje të Sali Berishës e Ilir Metës te Adriatik Llalla; dhe ky me ndërhyrje te prokurori i çështjes Arqile Koça, i cili e mbylli dosjen për “mungesë provash”, ndërsa kallëzimi që bëri qeveria “Rilindja”, u tërhoq në heshtje me urdhër të Bablokut.
Por emri i Ridvan Bodes, ka dalë shumë herë në hetimet që Byroja Kombëtare e Hetimit ka bërë për aferat e njohura, paçka se në ato dosje ka qenë, por është fshirë nga prokuroria e kohës së Adriatik Llallës, ndërsa kallëzuesi Edi Rama e emëroi Anëtar Bordi në Bankën e Shtetit.
Në informacionin që ka siguruar “Pamfleti” nga burime brenda BKH-ës, thuhet se gjatë hetimeve ndaj Sali Berishës, Ilir Metës, Fatmir Mediut, Genc Pollos, Genc Rulit etj., emri Ridvan Bodes ka dalë si “dora e zezë” e Saliut në të gjitha aferat korruptive dhe vjedhjet e bëra gjatë 8 viteve pushtet.
Është konstatuar se në vitet 2005- 2013, nga qeveria e PD e PD-LSI, janë dhënë 178 koncesione me fonde, pasuri e resurse shteti, të miratuara nga Ridvan Bode si Ministër Financash.
Në 82 prej koncesioneve, Ridvan Bode rezulton se është edhe propozues, ndërsa në periudhën korrik-shtator 2013, pasi PD kishte humbur pushtetin, Ridvan Bode bashkë me Sali Berishën, ka miratuar 42 koncesione, madje në datën 9 shtator 2013, ditën e fundit të qëndrimit në zyrë, ka miratuar 21 koncesione me efekt financiar 258 milionë Euro humbje për shtetin.
Byroja Kombëtare e Hetimit, ka gjetur emrin e ish-ministrit Ridvan Bode, te kredia e huaj 250 milionë Euro, marrë pa ankand për Rrugën e Kombit; 60 milionë Euro të së cilës u vodhën, por figurojnë të regjistruara si “shpenzime emergjencash”.
Po kështu, te shitja e ARMO sa 20% e prodhimit vjetor, ose 1.2 miliardë Euro humbje për shtetin; por dhe te shitja e hotel “Dajti” te Banka e Shtetit, me 30 milionë USD.
Gjatë hetimeve të BKH, emri i Ridvan Bodes ka dalë te shitja e 4 HEC-eve “Bistrica 1 e 2” dhe Ulëz e Shkopet”, të cilët përveçse u shitën me 10% të vlerës reale te kompania turke “Kurum”, Bode me urdhër të tij, i fali edhe 33 milionë Euro nga vlera e shitjes, për gjoja investime.
Emri i Ridvan Bodes, ka dalë si “dora” e Saliut në privatizimin e CEZ, te koncesioni i skanimit në Portin e Durrësit, te koncesioni përpunimit të kontejnerëve dhënë firmës “Kurum”, te Lotaria Kombëtare, Ngjyrosja e Karburanteve, Pullat e Kasat Fiskale, dhurimi i 1200 hektarë troje e objekte në ish-repartet ushtarake në bregdetin jugor, në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë e Fier.
Nga rakordimi i vlerës të dosjeve që ka firmosur ish-ministri Ridvan Bode, vetëm në 55 dosje procedurash në vitet 2005-2009, rezultojnë 4.2 miliardë Euro dëme në arkën e shtetit.
Ndërsa në 8 vite pushtet të PD bashkë me LSI, referuar hetimit të BKH-së me bazë edhe raportet e KLSH, rezulton se vjedhjet e firmosura nga Ridvan Bode si Ministër i Financave bashkë Sali Berishën, janë 10 miliardë Euro nëpërmjet koncesioneve, pasurive, tenderëve kredive etj.
Sali Berisha është “non grata” e në “Arrest shtëpie”; bashkë-qeverisësi i tij Ilir Meta, është nën hetim nga SPAK për disa afera korrupsioni gjatë pushtetit PD-LSI, kur Ridvan Bode ishte Ministër Financash, që ka miratuar e firmosur çdo akt zyrtar.Por SPAK, megjithëse ka zbuluar kaq shumë prova korruptive e vjedhje, nuk po e merr nën hetim ish-ministrin Ridvan Bode, ndërsa ky krekoset në krye të Bankës së Shtetit./Pamfleti