Sheiku arab Mohamed Alabbar është bërë protagonist edhe në Serbi. Përveçse mori Portin e Durrësit te ne dhe projekti ka mbetur në ajër, ai duket se personazh i lajmeve negative është dhe në Serbi.
Gazeta opozitare serbe “Nova” ka bërë një artikull se si qeveria e Vuçiçit u ka dhënë prona dhe objekte shtetërore njerëzve të afërt, përfshirë kriminelë, këshilltarë dhe biznesmenë.
Në listë është edhe arabi Mohamed Alabbar.Sipas medias serbe, vila shtetërore numër 38, në rrugën “Užička”, në pjesën elitare të Dedinjës, i është dhënë kompanisë “ANH Holding Limited”, e cila është në pronësi të Mohamed Alabbar.
“Ky miliarder arab është i njohur për publikun tonë si një nga investitorët në Beograd në fushën e ujit, por edhe si një njeri të cilin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në disa fjalime publike e ka quajtur “mik i tij”.
Është evidente se vila në Uzhiçka ka ndërruar pronar, gjë që mund të shihet në Kadastër, por nuk dihet se me çfarë çmimi dhe me çfarë kushtesh biznesmeni arab ka hyrë në posedim të kësaj prone”, shkruan media serbe.
Por sipas saj, procedura është bërë në fshehtësi të plotë dhe dyshimet janë se vila mund ti jetë dhënë falas. Por “Nova” ngre dhe një pikëpyetje tjetër, projektet që ka marrë ai kanë mbetur në ajër, sikundër po ndodh dhe me projektin e tij në Durrës, i cili nuk dihet se kur fillon dhe nëse do mbarojë ndonjëherë.
“Në Serbi, Muhamed Alabar është shpallur investitor në projektin “Beograd on the Water”, por deri më tani askush nga autoritetet nuk ka bërë të ditur se sa ka investuar ky miliarder në projektin që po e financon zyrtarisht”, shkruan media serbe.
Sipas “Nova”, për të disatën herë opinionit i është mohuar një përgjigje për pyetjen:
Sa para deri më tani kanë ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe për projektin “Beogradi mbi ujë”.
Sipas kontratës, pala serbe i ka dhënë kompanisë “Eagle Hills” në pronësi të Muhamed Alabar 100 hektarë tokë ndërtimore urbane me qira për 99 vjet, por pa kompensim, në këmbim të 32 për qind të pronësisë në ndërmarrjen e përbashkët. Ajo kontratë parashikon investime të përbashkëta në një lokacion prej rreth 177 hektarësh ku ka disa ndërtesa banimi dhe hotele, një qendër tregtare dhe Kullën “Beograd” 168 metra të lartë. Por nuk ka asnjë zhvillim në këtë aspekt.
Edhe në Tiranë, Alabar cilësohet nga Edi Rama si mik i tij, teksa flitet se projekti për Durrësin ka dështuar dhe ai po mendon largimin. Njësoj si në Serbi edhe te ne nuk ka asnjë lloj transparence se çfarë po bëhet me këtë projekt. /Pamfleti