Dyshohet se shtyu gruan drejt vetëvrasjes, bashkëshorti i 41-vjeçares mohon akuzat: E bëri për shkak të bullizimit në TikTok

Aktualitet

Publikuar: 07/01/2024

Dyshohet se shtyu gruan drejt vetëvrasjes, bashkëshorti i 41-vjeçares mohon akuzat: E bëri për shkak të bullizimit në TikTok

Xhemal Loka, i arrestuar pasi dyshohet se shtyu gruan e tij Bedrie Lokën, drejt vetëvrasjes është marrë në pyetje sërish nga policia.

Sipas bluve të Durrësit rezulton se kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij të ndjerë.

45-vjeçari gjatë marrjes në pyetje ka mohuar akuzën.

‘Nuk kam lidhje fare me vetëhelmimin e gruas time. Ajo e ka bërë këtë për shkak të bulizimit në Tik Tok.’ ka deklaruar ai.Ndërsa lidhur me dëshmitë e fëmijëve të cilët kanë deklaruar se babai i tyre i bënte shantazh të vazhdueshëm nënës së tyre si dhe bisedat e kapura në celularë ku nuk mungojnë kërcënimet, ai ka preferuar të heshtë.

Nuk ka dhënë asnjë përgjigje, bëjnë të ditur në policinë e Durrësit.

Policia ka sekuestruar telefonin i tij celular që e kishte fshehur te motra e tij.Hetuesit kanë në duar veç telefonit të tij edhe atë të bashkëshortes tashmë të vdekur.

Xhemal Loka u arrestua një ditë më parë, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.