Në Shqipëri gjithçka mund të ndodhë. Anëtaret e bandës së mikrokredive, që kanë rrjepur dhe rrënuar mijëra familje shqiptare, po katapultohen në Shkollën e Magjistraturës për t’u bërë gjyqtare, pjesë e Drejtësisë së Re, për t’u komanduar dhe përdorur më pas në funksion të interesave të kartelit.

Era Çorbaxhi ka kërcënuar dhe shantazhuar me qindra qytetarë në telefon për llogari të kompanisë Credital, e cila mbledh kreditë e mafies ruse në Tiranë, duke u sekuestruar shtëpi për një telefon.

Credital, me objekt blerje kredish me vonesë, është në pronësi të Elton Janinës, bashkëshorti i ambasadores së Shqipërisë në Bruksel, Suela Janina.

Administratori i kompanisë së mikrokredive Credital është ‘urithi’ i vjetër Sokol Lumani, me lidhje familjare dhe klienteliste me disa banka.

Sokol Lumani ka lidhje të hershme shoqërore dhe klienteliste me kreun e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, i cili paralelisht me funksionin zyrtar, vijon të ushtrojë edhe profesionin e avokatit në konflikt interesi.
Në listën e emrave ‘fitues’ në Shkollën e Magjistraturës befas shfaqet edhe Era Çorbaxhi.
Nga kamzhik në duart e Elton Janinës dhe Sokol Lumanit për të zhvatur mijëra familje shqiptare, Era Çorbaxhi shumë shpejt do të marrë në dorë çekiçin e gjyqtares.
Kush është Elton Janina
Elton Janina njihet si një shitës i thjeshtë mobiliesh. Drejtori i Hipotekave Ilirjan Muho, përfaqësues i LSI, e katapuloi në Hipotekën e Tiranës.

Janina dyshohet se bëri miliona euro në një kohë të shkurtër me dallaveret në Hipotekë.
Në 10 maj 2019, Elton Janina themelon kompaninë Micro Credit Risk, me nipt L91803020G, me objekt veprimtarie mikro kredi dhe blerje të kredive me vonesë.

Për t’u kamufluar, në dhjetor 2022, Janina ndryshon emrin e kompanisë nga Micro Credit Risk në Credital.
Kompaninë e mikrokredisë Credital, Elton Janina e kontrollon përmes kompanisë Angelus Lex me nipt L51713007A, me objekt konsulencë ligjore.
Angelus Lex është themeluar në prill 2015, ku Janina është aksioner me 100 %.
Fillimisht Janina e nisi aktivitetin e dyshuar dhe të denoncuar si kriminal, në një apartament modest në ish Bllok.
Tashmë Janina është zgjeruar, ka krijuar një ‘bandë’ me dhjetëra punënjës, duke u zhvendosur tek Pazari i Ri, vetëm disa metra larg Prokurorisë së Përgjithshme.
‘Banda’ lë pa shtëpi dhe u përlan pronat në mënyrë të fshehtë dhjetëra familjeve, për kredi abuzive me interesa deri në 300 %, për kredi që janë shlyer shumëfish, për blerje me këste dhe kredi të vonuara në shlyerje.