Fijet e zeza të interesave ruse, kamufluar nga offshoret, Letonia, Estonia deri në Tiranë, vijojnë duke i zgjatur deri tek ambasadorja e Shqipërisë në Bruksel, Suela Janina.

Prapaskena mëson se në Prokurorinë e Tiranës është hapur një dosje penale, protagonist i të cilës është Elton Janina, bashkëshorti i ambasadores Suela Janina, një nga ‘ujqërit’ e mafies së mikrokredive në Shqipëri.

Elton Janina, i cili po hetohet për mashtrim me pasoja të rënda, zhvatje dhe tjetërsim pronash, mbledh kreditë e piramidës financiare ruse, duke sekustruar shtëpi dhe prona për një telefon, pa njoftim, me ankande të fshehura dhe në mënyrë të paligjshme.
Kush është Elton Janina
Elton Janina njihet si një shitës i thjeshtë mobiliesh. Drejtori i Hipotekave Ilirjan Muho, përfaqësues i LSI, e katapuloi në Hipotekën e Tiranës.

Janina dyshohet se bëri miliona euro në një kohë të shkurtër me dallaveret në Hipotekë.
Në 10 maj 2019, Elton Janina themelon kompaninë Micro Credit Risk, me nipt L91803020G, me objekt veprimtarie mikro kredi dhe blerje të kredive me vonesë.

Për t’u kamufluar, në dhjetor 2022, Janina ndryshon emrin e kompanisë nga Micro Credit Risk në Credital.
Kompaninë e mikrokredisë Credital, Elton Janina e kontrollon përmes kompanisë Angelus Lex me nipt L51713007A, me objekt konsulencë ligjore.
Angelus Lex është themeluar në prill 2015, ku Janina është aksioner me 100 %.
Fillimisht Janina e nisi aktivitetin e dyshuar dhe të denoncuar si kriminal, në një apartament modest në ish Bllok.
Tashmë Janina është zgjeruar, ka krijuar një ‘bandë’ me dhjetëra punënjës, duke u zhvendosur tek Pazari i Ri, vetëm disa metra larg Prokurorisë së Përgjithshme.
‘Banda’ lë pa shtëpi dhe u përlan pronat në mënyrë të fshehtë dhjetëra familjeve, për kredi abuzive me interesa deri në 300 %, për kredi që janë shlyer shumëfish, për blerje me këste dhe kredi të vonuara në shlyerje.
Letrat i firmos Sokol Lumani. Ky i fundit është një personazh me influenca korruptive në drejtësi dhe sidomos në Shkollën e Magjistraturës.
Dy pelivanët e mafies së mikrokredive, Elton Janina dhe Sokol Lumani kanë arritur të regjistrojnë edhe punonjēsit e tyre në Shkollën e Magjistraturës, për t’i bërë gjyqtarë dhe prokurorë.
Drejtësia e re me celulat e kartelit të mikrokredive që zhvat mijëra familje shqiptare, duke i lënë pa shtëpi.
Prapaskena mëson se në dosjen e Prokurorisë së Tiranës ka elementë dhe prova për një grup kriminal, dhe si e tillë këtë dosje duhet ta marrë në dorë SPAK.
Në SPAK është referuar edhe dosja e kartelit mafioz MCA/ADCA, por po bëhen përpjekje epike që dosja të shkojë për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, me qëllim për të krijuar terrenin për ta mbyllur.