Dosja e SPAK për grupin e kokainës me në krye Ervin Mata tregoi vështirësitë financiare të Erzen Breçanit për ndërtimin e hidrocentralit në lumin e Gashit në Valbonë. Sipas dosjes, Breçani investoi të paktën 350 mijë euro nga paratë e trafikut të kokainës për vënien në punë të hidrocentralit.
Bashkëpronar i dy hidrocentraleve është edhe bamirësi dhe biznesmeni virtual Kristian Boçi. Themi virtual pasi Boçi befas u shfaq një ditë si biznesmen pa një historik të konsoliduar biznesi, por me një historik punësh të dyshimta në Greqi dhe më pas në Holandë dhe Belgjikë.
Konkretisht, Kristian Boçi, i cili ka operuar me 3 emra të ndryshëm, është bashkëpronar me Ender Boçi i dy hidrocentraleve në Zall Xhuxhë, një investim miliona euro, kamufluar me një kompani me kapital 10 mijë lekë!
Bamirësi Kristian Boçi kontrollon 50 % të dy hidrocentraleve përmes kompanisë së ndërtimit Mak-08, me nipt K81313013K, themeluar në vitin 2008 me kapital 3 milionë lekë.
Mak-08 ka 50 % të aksioneve në kompaninë GLORIS CONSTRUCTION, me nipt K81629013H, me kapital 100 lekë.
Shoqëria Gloris Construction është pronare e kompanisë së dy hidrocentraleve, Hec Xall Xhuxhë, me kapital 10 mijë lekë.
Përmes 3 kompanive me kapital 4.1 milionë lekë, Kristian Boçi ka bërë një investim me vlerë miliona euro.
Ku i mori paratë? Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet SPAK, duke investiguar në të shkuarën e Boçit dhe ndjekur rrugën e parave.
Kristian Boçi, i cili duket se jo rastësisht rezulton me 3 emra (Kristian Boçi, Agustin Boçi dhe Kristian Botsis), kontrollon një kater kompanish të tjera, që të gjitha me bazë të dyshimtë, kapital modes, por gjithnjë duke mbuluar investime të mëdha.
Me anë të kompanisë Dizi, themeluar në 2015 me kapital 100 lekë, Boçi kontrollon disa biznese në Rrëshen me burim të dyshimtë, ku përfshihen servis, fast food, market dhe bar-kafe.
Kristian Boçi është pronar edhe i një kompanie të sigurisë fizike në Xhafzotaj të Durrësit, themeluar në 2008, me nipt K81515001D dhe kapital 4 milionë lekë. Këtë kompani herë e pezullon dhe herë e aktivizon.
Kujtojmë se në media është raportuar se trafikanti i famshëm i kokainës Arbër Çekaj, i përfshirë në trafikun e 613 kg kokainëqë kap në Maminas në fund të shkurtit të 2018, ka folur për autoritetet gjermane.
Sipas raportimeve mediatike, Arbër Çekaj ka rrëfyer se Kristian Boçi dhe Lul Morina ishin dy koka që fshihen pas trafikut të kokainës nga vendet Amerikës Latine drejt Evropës.
Avokatët e Çekajt e mohuan këtë pretendim, por fakti se edhe Lul Morina, ashtu si Boçi, ka ngritur një pasuri miliona euro pa një historik të mirëfilltë biznesi, me kompani fantazmë, me bilance gjysmake etj., krijon dyshime të forta.
Nga ana tjetër, bashkëshortja e Kristian Boçit dhe e fejuara e Ervin Matës, i njohur si Boli i kokainës, janë shoqe dhe janë përfshirë në transaksione të dyshimta dhe të fshehta me vlerë miliona euro.
Ndërkaq, në vitin 2007, Boçi ka tentuar të hapë një lokal në plazh si person fizik, por aktiviteti rezulton i pezulluar që në 2012.
Referuar dokumenteve, bilanceve dhe historikut të biznesit, duket qartë se nuk kemi të bëjmë me një biznesmen real, por me një personazh që hap kompani për të qarkulluar para me burim të dyshimtë.
Krahas biznesit vetëm në letra, Kristian Boçi posedon një pasuri me vlerë miliona euro dhe bën një jetë sheikës, me burim parash të dyshimtë.
Jo vetëm kaq. Por në sfondin e dyshimeve të pastrimit të parave të pista shfaqet edhe Drilona Boçi, bashkëshortja e Kristian Boçit.
Në vitin 2017, zonja Boçi i blen shoqes së saj Elvana Gjatës dyqanin e famshëm Altar me vlerë 1.2 milionë euro, por duke fshehur transaksionin.
Nëse Elvana Gjata dyshohet se siguroi dyqanin me paratë e kokainës të të dashurit Ervin Mata, mbetet mister se ku i gjeti paratë Drilona Boçi për t’i blerë dyqanin shoqes së saj.
Drilona Boçi kontrollon edhe disa kompani të tjera fantazmë, përmes të cilave qarkullohen para me burim të errët.
Mbetet për t’u parë nëse SPAK-ut i bën përshtypje pasuria miliona euro e Kristian Boçit dhe Lul Morinës, me burim jo të ligjshëm, kamufluar me një kartel kompanish në letra, pa ndarë divident etj.