Shtatë ditë pas raportimit për zhdukjen e vajzës 14-vjeçare nga Shkupi, Policia e Maqedonisë së Veriut e gjeti trupin e saj të pajetë, të varrosur në një fshat në afërsi të kryeqytetit. Pesë persona dyshohen për grabitjen dhe më pas vrasjen e të miturës, ndërsa në mesin e të dyshuarve është edhe babai i saj.
Babai dyshohet se u ka dhënë informacione për vajzën e tij grupit, i cili e ka rrëmbyer me qëllim që të zhvasë para nga e ëma e vajzës. Megjithatë, disa orë pas rrëmbimit, vajza është vrarë me armë zjarri.
I dyshuari kryesor është person publik, analist e aktivist politik, ndërsa është arratisur përpara se policia të sigurojë dëshmitë për lidhjet e tij me vrasjen makabër. Grupi i njëjtë ka likuiduar gjithashtu një 74-vjeçar, disa ditë përpara rrëmbimit të 14-vjeçares, ndërsa rrëmbimin e kanë kryer duke shfrytëzuar makinën e 74-vjeçarit.
Ministri Oliver Spasovski në konferencën e sotme për media shpjegoi mënyrën e rrëmbimit të vajzës së mitur.
Siç tha ai, Vanja Gjorçevska u vendos me forcë në bagazhin e automjetit Citroen, pasi më parë me duar dhe këmbë të lidhura e vendosën në një thes gjumi.