“2 mijë Euro ose do të…”, GJKKO dënon me dy vite burg ish-oficerin e policisë gjyqësore!

Aktualitet

Publikuar: 07/11/2023

“2 mijë Euro ose do të…”, GJKKO dënon me dy vite burg ish-oficerin e policisë gjyqësore!

GJKKO ka dënuar me dy vite burg oficerin e policisë gjyqësore Sokol Canameti.

Ky i fundit akuzohet për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

Po ashtu atij i është hequr e drejta  për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.

Ndërkohë babë e bir Flatin dhe Erjon Kuzari janë dënuar me 1 vit e 4 muaj shërbim prove.

Ngjarja: 

Erjon Kuzari, akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, ndërsa Flatin Kuzari, akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë” kryer në bashkëpunim.

Nga tërësia e hetimeve të kryera në kuadër të këtij procedimi dhe provat e grumbulluara provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, më datë 10.10.2022 të pandehurit Flatin Kuzari dhe Erjon Kuzari, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë dhënë shumën prej 235.000 (dyqind e tridhjetë e pesë mijë) lekë oficerit të policisë gjyqësore Sokol Canameti, në këmbim të lënies së lirë, të shtetasit Erjon Kuzari i cili ishte kapur nga autoritetet e policisë në posedimin e një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë një ditë më parë, pra në datë 09.10.2022.

Oficeri i policisë gjyqësore Sokol Canameti, duke shfrytëzuar funksionin e tij, me rol në procedurën e shoqërimit të një personi të dyshuar të kapur me lëndë narkotike, e duke qenë referues i veprës penale në prokurori, ka abuzuar duke ushtruar presion, se do ta arrestonte shtetasin Erjon Kuzari, nëse ai nuk do ti jepte shumën prej 2000 eurosh. Pra ai ka kërkuar që kjo shumë ti dorëzohej brenda ditës, duke vendosur dhe orar. Ai është takuar me babain e Erjonit, shtetasin Flatin Kuzari, i cili në kushte të vështira ekonomike, e kishte siguruar këtë shumën duke e marrë hua, tek të njohur të tij, dhe rreth orës 19.00 të datës 10.10.2022, ia ka dhënë këtë shumë oficerit të policisë gjyqësore në afërsi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.