Fatmir Bektashi i kaloi dhjetëra mijëra euro në arkën e Syrit Tv me anë të kompanisë Kontakt

Krim & Korrupsion

Publikuar: 31/10/2023

Fatmir Bektashi i kaloi dhjetëra mijëra euro në arkën e Syrit Tv me anë të kompanisë Kontakt

Fatmir Bektashi, ortaku i Jamarbër Malltezit në korrupsion dhe pastrimin e parave me 17 kulla mbi pronën e tjetërsuar shtetërore te ish Klubi Partizani, ka kaluar dhjetëra mijëra euro në llogari dhe arkën e televizionit të familjes Berisha, Syri Tv.

Bektashi i ka kaluar paratë në llogaritë e Syrit Tv përmes kompanisë së ndërtimit Kontakt shpk.

Pronar me 100 % të aksioneve të kompanisë Kontakt rezulton Fatmir Bektashi, nën akuzë nga SPAK bashkë me Sali Berishën dhe dhëndrin e këtij të fundit, Jamarbër Malltezi.

Ndërsa pronar në letra i Syrit Tv është Çim Peka, gezetar i atashuar pranë familjes Berisha. Pronar faktik i televiziojit është Shkëlzeni, i cili administrimin ia ka besuar shokut të tij, Gaz Spahia, ish drejtor Tatimesh gjatë qeverisjes Berisha.

Tranasksionet mes kompanisë Kontakt dhe Syri Tv janë në dosjen e SPAK-ut për aferën e familjes Berisha me ish Klubin Partizani.

Bektashi akuzohet nga SPAK se ka pastruar paratë e Jamarbër Malltezit, përmes kompanisë Homeplan, në të cilën Malltezi ka 45 % të aksioneve.

Sipas dosjes së SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.

Nga sekuestrimet e pasqyrave financiare të shoqërisë ka rezultuar se Jamarbër Malltezi nuk ka kryer asnjë investim, prandaj në mënyrë të ligjshme nuk mund të ketë përfituar asnjë të ardhur nga kjo shoqëri, pavarësisht se në dorë të SPAK janë fatura për pagesa kesh dhe dividend që shkojnë në emër të tij.

SPAK argumenton se shoqëria “Homeplan shpk” është krijuar vetëm për të qarkulluar para. Vlera e privatizimit është paguar nga kompania e Bektashit, ndërkohë që roli i Jamarbër Malltezit, ka qenë ndikimi tek institucionet për të privatizuar pronën e më pas për të marrë leje ndërtimi. Për këtë ai dyshohet se familjet përfituese e kanë shpërblyer me 3 -5% të pasurive të tyre të paluajtshme.

Ndërkohë, për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” po hetohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjykata e Posaçme e ka ndaluar atë të dalë jashtë vendit. Por, në kushtet kur vendimi nuk është ekzekutuar, nuk është caktuar ende një datë për seancë gjyqësore ndaj tij, raporton gazetarja Anila Hoxha.

GJKKO ka sekustruar 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit. Atij i janë bllokuar edhe gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.