Vrasja e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në muajin Prill 2020 në Durrës, është një ndër krimet më të rënda të kryera gjatë bashkëpunimit kriminal nga dyshja e rrezikshme Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj.
Me eleminimin e dy vëllezërve Haxhiaj, Dumani së pari kishte vrarë dy shokët e tij, së dyti kishte zbatuar porosinë e financuar me mijëra euro nga Erion Alibej alias “Krymi” dhe Arjan Spahiu, si dhe së treti kishte mbyllur përfundimisht derën e familjes Haxhiaj në Durrës, e cila në një ditë të vetme humbi të dy djemtë.
Për gjendjen gjakatare dhe të papërgjegjshme të Nuredit Dumanit, flet në dëshminë e tij dhe i penduari Henrik Hoxhaj, ish-miku i ngushtë dhe bashkëpunëtori kryesor i Dumanit në vrasjet seriale.
Hoxhaj thotë se Dumani duhet të mbahet nën kontroll pasi merr zjarr menjëherë, njësoj si pushka e jevgu. Këtë mendim ai e shfaq teksa flet në telefonin e kriptuar “SKY” me Erion Alibej, vetëm pak orë pasi kishin vrarë në Durrës dy vëllezërit Haxhiaj.
Në dëshminë e tij Henrik Hoxhaj, u ka treguar prokurorëve se pas vrasjes së vëllezërve Haxhiaj, ai së bashku me “Lulin”, alias Nuredin Dumanin, shkuan tek shtëpia ku ai banonte pas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në ish-bllok.
“…Luli bisedoi me një person të cilin e thërriti “Krymi”. U përshëndetëm me të, por unë nuk e dija kush ishte personi me të cilin po bisedonte “Luli”. Më pas “Luli”, ma kaloi këtë person direkt në telefon dhe me tha: “…do të flasi me ty…”.
Unë mora telefonin u përshëndeta me këtë shtetas. Personi nuk mu prezantua, por unë e mora të mirëqenë se ky ishte personi që ishte interesuar për vrasjen e dy vëllezërve që ne kishim realizuar. Gjatë bisedës me këtë person i shpreha shqetësimin duke i thënë se:”…me kushon (Nuredinin) duhet të bëjmë kujdes! Se merr kot zjarr, si pushkë jevgu. Ai më tha atë kam hall dhe unë dhe prandaj po flasim bashkë dhe do ta lejmë bashkë të takohemi një ditë…”.
Hoxhaj ka treguar se në këtë vrasje ka marrë pjesë ai, Nuredin Dumani dhe një djalosh i vogël, të cilin ai e thërriste “çapaçul”.
Sipas Hoxhaj, vrasja e vëllezërve është bërë për 70 mijë euro dhe në ketë punë Nuredini ka marrë pjesë dhe vetë. Hoxhaj, ka treguar se jo çdo porosi të Dumanit e kryente pasi shpesh porositë e tij për vrasje i vononte sepse duhet të bënte dhe ai analizën e vetë të situatës.
Si armë janë përdorur tre kallashnikovë, të cilat i ka gjetur Nuredini.
“Për shkak se kishte trafik ne i dolëm në krah mjetit “Golf 5” dhe hapëm zjarr të dy njëherësh unë dhe Nuredin Dumani. Nuredini zbriti nga makina dhe gjuajti përsëri por në këtë moment atij i ngeci automatiku dhe unë duke parë këtë gjë hapa derën dhe mora automatikun tjetër dhe gjuajta dhe disa fishekë drejt “Golfit” dhe me pas ika.
Nuk e mbaj mend saktë se çfarë rruge ka përdor shoferi por di që unë dhe Nuredini kemi hipur në një mjet Mercedez Benz ngjyrë të zezë dhe jemi larguar në drejtim të Tiranës.
Unë e pyeta Nuredinin nëse shoferi e kishte djegur mjetin apo jo ai m’u përgjigj që po e ka djegur. Më pas e mora vesh në media që ishin kapur dhe mjeti dhe armët si dhe ishte arrestuar shoferi që kishim patur në mjetin e ngjarjes që quhej Klevis Alla. Kur e kam parë me fytyrë në televizor pashë se ishte i njëjti person që ishte në makinë me mua dhe Nuredinin, ditën kur kemi vrarë dy vëllezërit”.
// Marrë nga Ora News