Burime për Prapaskenën theksuan se prokurorja e SPAK-ut, Enkeleda Millonai ka firmosur një urdhër për arrestimin e dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit, me akuzën e pastrimit të parave, vepër e cila parashikon deri në 15 vite burg.
Ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për kërkesën për arrestimin e Malltezit.
Prapaskena njoftoi disa ditë para edhe arrestimin e Arben Ahmetajt dhe të Vangjush Dakos.
Nëse urdhëri është firmosur siç edhe sinjalizon burimi, atëherë kërkesa duhet të komfirmohet nga Gjykata e Posaçme.
Sipas burimeve, Enkeleda Millonai do të jetë prokurorja e parë, e cila do t’i japë goditjen e parë penale Familjes Berisha, me dosjen e ish Klubit Partizani.
Duke parandier fatin e keq për dhëndrin, Sali Berisha ka disa javë që po sulmon fort prokuroren Enkeleda Millonai, e cila po hyn në histori si një nga magjistratet që i ka dhënë dhe po i jep goditje fatale krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.
Bashkë me kreun e SPAK, Altin Dumanin, Enkeleda Millonai kopsiti edhe dosjen e korrupsionit 20-vjeçar të Arben Ahmetajt, i cili u konfirmua edhe si pronari i 3 inceneratorëve.
Hetimi është pothuajse si hetimet më serioze të FBI-së, i thelë, i gjithanshëm dhe deri në detajet më të pazakonta.
Pas akuzave ndaj prokurores që ka dosjen e dhëndrit, Sali Berisha ka paralajmëruar mundësinë për t’u ngujuar në një grevë urie, si mjet presioni për të shpëtuar dhëndrin nga burgu ose për të parandaluar arrestimin e të birit Shkëlzeni, i cili është gjithashtu nën hetim për pastrim parash bashkë me Çim Pekën dhe Gaz Spahinë.
Malltezi po hetohet për grabitjen e pronës publike ish Klubi Partizani, me dorën e vjehrrit kur ishte në pushtet, duke ngritur 19 kulla me vetëm 39 mijë euro para të ligjshme.
Pikat kyçe të aferës
-Pikat kyçe të aferës janë dyshimet e forta se trashëgimtarët e pretenduar, të përfaqësuar nga dhëndri i Sali Berishës në këmbim të përfitimit të 35 % të sipërfaqes që do të kthehej, janë shpronësuar dhe kompensuar nga Italia fashiste në vitet 1993-1942 në funksion të planit për zgjatimin e aeroportit.
-Nga vitit 1996 kur u njohën si ish pronarë më të drejtë parablerje të pronës në rast shitje ose kompensimi, trashëgimtarët nuk bënë asnjë përpjekje për t’u kompensuan, por pritën që të vinte në pushtet Sali Berisha në vitin 2005, për të marrë pronën, duke përfshirë edhe prona të tjera publike dhe private, që nuk u takonin, me sipërfaqe rreth 4.5 mijë m2.
-Nga viti 2005 deri në vitin 2009, Sali Berisha angazhoi të gjithë strukturat e nevojshme shtetërore për të privatizuar dhe kaluar në duart e familjarëve të tij pronën shtetërore ish Klubi Partizani.
-I vetmi zyrtar që doli kundër makinerisë së Sali Berishës ishte Gjenerali Vladimir Qirjazi, i cili u kërcënua, shantazhua, transferua dhe më pas u ndëshkua me shkarkim. Sali Berisha përdori ministrin e Mbrojtjes dhe zyrën anti korrupsion në Kryeministri, për t’u bërë presion me kontrolle korruptive dhe shkarkim Gjeneralit Vladimir Qirjazi.
-Trashëgimtarët e pretenduar morën 26 mijë m2 tokë, nga 24 mijë që mund t’u takonin, duke përvetësuar kështu edhe 4 mijë m2 pronë publike.
-Në sipërfaqen e kthyer në mënyrë abuzive dhe klienteliste, u asimilua edhe rreth 500 m2 tokë e shtetasit Esat Pira, ku përfshihej edhe pishina tek ish-Klubi Partizani.
-Pati vlerësime dhe zhvlerësime abuzive të godinës së Klubit Partizani, me qëllimin e qartë për të favorizuar dhëndrin e Sali Berishës, që të paguante sa më pak para, në kurriz të interesit publik.
-Nuk dihet burimi i parave të Jamarbër Malltezi për ngritjen e 19 kullave tek prona e tjetërsuar, ku është pronar me 35-50 %. Në vitin 2006, Jamarbri dhe Argita kanë deklaruar vetëm rreth 40 mijë euro kurime që u kishin mbetur, pasi paratë e tjera i kishin investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.