Një shtetas shqiptar është mes të arrestuarve si pjesë e një rrjeti të trafikut që furnizonte me armë forcat ushtarake ruse në Ukrainë.
Rrjeti drejtohej nga një grek, shtetas i Gjeorgjisë, dhe përbëhej nga shtetas bullgarë, rusë, bjellorusë dhe një shqiptar. Sipas autoriteteve, ata operonin në Bullgari nga ku furnizonin ilegalisht me armë forcat ruse, ato çeçene, madje edhe “Wagnerat” që luftonin në Ukrainë.
Autoritetet bullgare thonë se kanë arritur të arrestojnë 11 nga 12 persona që ishin pjesë e këtij rrjeti.
“Pronari i kompanisë është një shtetas grek, lindur në Gjeorgji, llogaritari është nga Kazakistani, një rus me katër ose pesë pasaporta është menaxher dhe një rus i dytë ka organizuar logjistikën. Rusi i tretë ka një leje qëndrimi të përhershme në Hungari. Në grup ka një bjellorus dhe një shqiptar”, tha kreu i Agjencisë Shtetërore Bullgare për Sigurinë Kombëtare, SANS, Plamen Tonçev.
Pesë nga 12 të arrestuarit e akuzuar zyrtarisht janë Romanos Vetridis, një shtetas rus që ishte vendosur në Moskë dhe Kavalla përpara Plovdivit, korrierët që mundësuan skemën Vasiliy Ulyanov dhe Evgeniy Ulyanov, Dmitriy Dimitrius i lindur në Bjellorusi dhe shqiptari Yani Yeshili.
Firma në Plovdiv është themeluar në vitin 2019 dhe quhet Aflon. Ajo drejtohej nga Vetridis dhe biznesmeni grek Takis Trikidis, i cili deri tani nuk është arrestuar nga autoritetet bullgare.
Trikidis ka qenë i akuzuar në vitin 2013 si anëtar i asaj që mediat greke e quajtën “banda e kallashnikovit”. Kjo bandë, në vitet 2011-2012 kreu krime të ndryshme në Greqinë veriore, si grabitje bankash, shpërthime në bankomate, sulme ndaj policëve, trafik armësh dhe droge dhe shantazh. Trikidis u dënua me nëntë vjet burg, por apeli e la të lirë.