Kuvendi nisi me debate lidhur me kush është kryetari i grupit parlamentar të PD-së. Sot 27 nga 35 deputetë të opozitës i kanë dërguar një dokument Kryetares së Kuvendit, ku deklarojnë se njohin si Kryetar Grupi Parlamentar të PD Gazment Bardhi. Ky i fundit kërkoi që zëvendëskryetarja ta lexojë dokumentin e depozituar para Kuvendit. Por, Ermonela Felaj nuk e lexoi duke thënë se kryeparlamentarja Nikolla ka mbajtur njëherë qëndrimin mbi këtë çështje. Kjo solli reagimin e Bardhit, i cili i tha se është e detyruar ta lexojë.
Felaj: Shkresa mban datën e sotme, është paraqitur para seancës. Vërehet re që ka një replikë me kryetaren për çështjen e qëndrimit që kryetarja e kuvendit do të shpreh të formësuar mbi diskutimet mbi grupin. Këtë nuk e konsiderojmë një njoftim për ta lexuar në Kuvend.
Bardhi: E para, ju nuk çmoni dot njoftimet Grupit të PD, detyra juaj është të lexoni njoftimet. Nuk ka asnjë replikë për çështjet tona të brendshme me kryetaren. Se kuptoj pse s’keni guxim ta lexoni. Thuhet në mbledhje është marrë ku vendin: Ju duhet të lexoni vendimin e grupit, s’kemi bërë replikë me kryetaren e Kuvendit. E kemi paraqitur sipas rregullores. Jeni e detyruar ta lexoni. Nuk jeni ju që interpretoni vendimet tona, ju thjesht informoni seancës.
Felaj: Nuk i takon kryetarit të Kuvendit të merret me qëndrimet e anëtarëve që i përkasin formalisht kryetarit të Grupit të PD-së. Kuvendin në një situatë të paprecedent po e fusni ju me veprimet e njëpasnjëshme. Kryetarja ka vendosur t’iu nxisë ju që të zgjidhni problemet tuaja të brendshme. Kryetarja e Kuvendit ka mbajtur qëndrim për këtë çështje dhe nuk kemi pse mbajmë asnjë qëndrim.
Në rend dite është futur projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore”. Bardhi ka dërguar një kërkesë që të futetë në rendin e ditës propozimi i tij për ndryshimin e përbërjes së Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Bardhi kërkon që të largojë si bashkëkryetar të komisionit Enkelejd Alibeajn e Bashës dhe të vendosë Oerd Bylykbashin e Berishës.
“Për një vit e gjashtë muaj, janë zhvilluar vetëm dy mbledhje, duke bllokuar çuarjen përpara të kësaj reforme të rëndësishme për vendin”, thuhet në kërkesë.
Gazmend Bardhi propozon deputetët Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Ervin Saljanji, Lindita Metaliaj, Tomor Alizoti, Fatmir Mediu, Shpetim Idrizi dhe Petrit Vasili. Në rend dite është futur edhe projektligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, për të cilën grupi i Lulzim Bashës ka deklaruar që do të votojnë pro rritjes së pagave për gjyqtarët, ndërsa grupi i Badhit dhe Berishës thonë se do të votojnë kundër me argumentin se cenon pavarësinë e Gjykatës.