‘Gysi i drogës’ sherre edhe tek Doganat. Historia e drejtorit karagjoz, përleshjet, skandalet, biznesi i dyshimtë me Roshin e Kavajës dhe si i ka shpëtuar deri më sot SPAK-ut

Krim & Korrupsion

Publikuar: 19/09/2023

‘Gysi i drogës’ sherre edhe tek Doganat. Historia e drejtorit karagjoz, përleshjet, skandalet, biznesi i dyshimtë me Roshin e Kavajës dhe si i ka shpëtuar deri më sot SPAK-ut

Ditët e para të 2023, Ergys Hoxha, i etiketuar në media si ‘Gysi i drogës’, u emërua nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Doganave, duke pasur në varësi Drejtorinë Hetimore dhe atë Operacionale.

Më herët, Ergys Hoxha ishte drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri.

Edhe njerëzit më të afërt të Edi Ramës vijojnë të jenë të habitur se si i ka besuar një personazhi problematik si Gysi dy funksione kaq të rëndësishme në Kryeministri dhe më pas në dogana.

Edhe pse për aktivitetin e zi të Ergys Hoxhës,  përfaqësitë e huaja diplomatike kanë informacion të detajuar, Rama, çuditërisht, vijon ta mbajë, ndoshta duke pritur ndonjë njoftim nga SPAK-u.

Ergys Hoxha nuk është lakuar ndonjëherë për ndonjë arritje në punë, aksion, reformë etj., por vetëm për karagjozllëqe, provokime, skandale dhe arrogancë.

Në 2013, poshtë makinës së Ergys Hoxhës, te dera e Kryeministrisë, u zbulua një minë “C4”, por u sajua sikur makina ishte e Besnik Dervishit, një personazh paqësor, pa asnjë implikim dhe konflikt. Mina ishte mesazh për Gysin.

Në maj të vitit 2014, Ergys Hoxha u pezulluar nga detyra pasi u përfshi në një konflikt verbal me efektivët të Rrugores, duke i fyer dhe sharë. I gjithë debati mes tyre ishte rregjistruar nga kamerat e instaluara në makinën e patrullës.

Ai lëvizte me një Audi me targs false.

Targa AA 375 DB, të cilën e mbante mjeti tip “Audi A5” i Hoxhës, në sistem i korrespondonte një mjeti tjetër, tip “Fiat Punto” me ngjyrë gri, pronari i të cilit është një person nga Laçi.

Në momentin kur efektivët e Qarkullimit V. B. dhe E. J. i kanë kërkuar shpjegime Ergys Hoxhës për targën e mjetit që rezultonte e parregullt, ai ka nisur t’i fyejë, madje edhe t’i kërcënojë se do t’i hiqte nga puna. Njërit prej efektivëve ai i ka përplasur në fytyrë dokumentin e identifikimit me logon e Kryeministrisë.

Dy efektivët u tradhtuan nga shefat e tyre, të cilët kishin lidhje me Gysin.

Në gusht të vitit 2015, Ergys Hoxha ka pasur një tjetër incident, kësaj radhe me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Në kampin socialsit të Jalë, thuhet se ka pasur një përplasje fizike, ku Ergys Hoxha ka goditur ish ministrin Saimir Tahiri. Nuk dihet se kush ishte shkaku i përplasjes.

Më 12 tetor 2016, Gysi u kap rastësisht nga policia në një makinë vrasësi e trafikanti, por ngjarja u fsheh pasi në pah do të dilnin lidhje dhe pazare me pasoja për politikanë të rëndësishëm.

Në një raport të datës 10 maj 2018, SHISH informoi Edi Ramën, Prokurorinë dhe Ministrinë e Brendshme, se Gysi i famshëm, duke shfrytëzuar postin në kryeministri, ishte përfshirë dhunshëm e pa asnjë tagër ligjor, në aksionet e ALUIZNI e IKMT në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shëngjin,e Vlorë, duke diktuar se cilët objekte duheshin rrafshuar e cilët jo.

Me gjithë këto skandale dhe ngarkesa kriminale, Rama nuk e lëshoi, por as SPAK nuk po e merr në dorë.

Ndërkaq, që kur Gysi u emërua nëndrejtor, autoriteti i Drejtorit të Doganave, Genti Gazheli, një pupac i Arben Ahmetajt, u vu në dyshim.

Emërimi i Gysit u lexua si një lëvizje për të dubluar dhe kontrolluar Gazhelin, i cili vijon t’u shërbejë interesave të Ben Tigrit, klanit dhe bizneseve të tij.

Prapasakena mëson se, ashtu siç edhe pritej, nuk kanë kaluar shumë ditë dhe mosmarrëveshjet e para mes Gysit dhe Gazhelit kanë nisur.

Përplasjet verbale, intrigat, mesazhet dhe kyrthet janë përshkallëzuar.

Sipas burimeve, Gysi ka pasur përplasje edhe me të dënuarin për përdhunim në grup, Ervis Roshi, me disa emra, ish kryetar i Bashkisë Kavajë.

Ergys Hoxha dhe Rroshi besohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në punë të zeza dhe biznese. Dyshja është akuzuar edhe nga shteasi Dritan Kanapari se i kanë vendosur tritol.

Gysi dhe Roshi dyshohet se qëndrojnë pas një resorti me vlerë 6 milionë euro në Kavajë, siç është ‘Supreme Hotel&Spa’, ndërtuar me para të dyshimta.

Për t’i shpëtuar veprimit të ligjit, hotelin e kanë kaluar në emër të një italiani. Roshi dhe Hoxha kanë pasuri të pajustifikuar, me vlerë miliona euro, në emër të tyre dhe të afërmve.