Arben Ahmetaj dhe Ridvan Bode, përmes mëngëve të tyre mediatike, një javë e lavdërojnë SPAK-un, një javë e shajnë dhe tentojnë të shantazhojnë prokurorë të caktuar.
Sali Berisha vetëm e akuzon SPAK-un pasi nuk po mbyll dot dosjet e të birit dhe dhëndrit për pastrim parash, ndërsa Ilir Meta është ngujuar si ariu në gjumin dimëror, në pritje të veprimeve të Arben Krajës dhe Sotir Kllapit për dosjen e lobimit.
Ditët e fundit, Arben Ahmetaj nga arratia dhe Bode nga kupola e Bankës së Shqipërisë, po financojnë dhe diktojnë një fushatë linçimi dhe shantazhi ndaj prokurorit të SPAK-ut, Edvin Kondili, duke e akuzuar se po operon me dy standarde, se po shpëton Ilir Beqajn, se nuk ka hetuar si duhet dosjen e sterilizimit etj.
Si argument të pretenduar sillet fakti që Arben Ahmetaj, edhe pse (sipas tij) nuk kishte lidhje me inceneratorët, u hetua deri në detaje për pasurinë, u shpall në kërkim dhe iu bllokuan vilat.
Ndërsa Ilir Beqaj, sipas tyre, nuk u arrestua edhe pse ka firmosur për koncensionin sterilizimit dhe kishte njohje me fituesin, Ilir Rrapaj. Sipas tyre SPAK është duke operuar me dy standarde.
Si qëndron e vërteta?
Arben Ahmetaj u ‘kreh’ nga SPAK-u si pronari faktik i inceneratorëve dhe jo për marrëdhënie të dyshuar me aferën e inceneratorëve.
Ahmetaj kamufloi me Klodin Zoton biznesin e djegësave në Fier dhe Elbasan, dhe kur i rrëshkiti nga duart biznesi me inceneratorin e Tiranës, nisi të shesë shokët, me të cilët u prish në pazare.
Hetimet për Arben Ahmetajn nuk kanë nisur se ka udhëtuar me Klodian Zoton apo Mirel Mërtirin.
Hetimet nisën pasi u faktua se Klodian Zoto i paguante udhëtimet dhe akomodimet në hotele Ahmetajt, dhe se Klodin Zoto kishte pronotuar një vilë, e cila më pas i kaloi bashkëjetueses së Arben Ahmetajt.
Pra, hetimet nisën pasi u publikuan faktet e korrupsionit. Këto fakte ishin fshehu nga Klodian Braho që në prill të vitit 2022.
Kur faktet e fshehura u publikuan në media dhe u referuan në SPAK nga gazetari Adriatik Doçi, kreu i SPAK, Altin Dumani, për të shpëtuar reputacionin e SPAK, ia hoqi dosjen nga duart Klodian Brahos dhe nisi vetë të hetonte Arben Ahmetajn, bashkë me prokuroren Enkelejda Millonai.
Hetimi zbuloi edhe një vilë tjetër të fshehur në Palasë si dhe disa apartamente, para cash në shtëpi, para të paligjshme në bankë, falsifikime, mashtrime, një sagë aferash korruptive etj.
Dhe hetimi nuk ka prekur aferat më të mëdha të Arben Ahmetajn që janë privatizimet, marrëveshja me Albtelekom për të mbyllur 22 milionë euro të vjedhura me kompaninë Hermes, rindërtimin etj.
SPAK u akuzua nga Ahmetaj, Berisha dhe mediat e tyre se pse hetoi kaq thellë!
Sot Arben Ahmetaj i sulet Edvin Kondilit se pse nuk vepron ndaj Beqajt siç operoi Altin Dumani dhe Millonoi ndaj tij.
Deri më sot hetimet nuk kanë zbuluar që Ilir Beqaj të ketë përfituar para apo vila nga koncesioni i hemodializës.
Nëse Ahmetaj dhe gazetarët e tij, kanë dijeni për ndonjë përfitim, kanë detyrimin ligjor ta denoncojnë në SPAK.
Atëherë si të kërkojë prokurori Kondili të arrestojë Ilir Beqajn pa prova penale?
Ta arrestojë pa prova se kështu dëshiron Ahmetaj dhe Sali Berisha?
Apo se kështu kërkon gjyqtari Erion Bani, i një personazh i markuar nga Fatmir Xhafaj, i cili tha se Lefter Koka duhet të qëndrojë në burg për të përmirësuar imazhin e drejtësisë dhe që del dhe jep intervista në media, duke folur për dosje, si të ishte gazetar apo politikan, në shkelje flagrante të statusit?!
Për vetë Ahmetaj ishin provat që në dhjetor 2022, dhe megjithatë, prokurorët pritën disa muaj, derisa sa mblodhën edbe fakte të tjera, duke krijuar bindjen.
Ahmetaj dhe Ridvan Bode i bëjnë shantazh Edvin Kondilit të kërkojë arrestimin e Beqajt pa një provë korrupsioni.
Dhe prova e korrupsionit është përfitimi. Përfitimi material dhe jo material nuk është provuar deri më tani.
Roli i Ridvan Bodes
Arsyeja se pse Arben Ahmetaj dhe Ridvan Bode janë bashkuar në shantazhin kriminal ndaj prokurorit Edvin Kondili, është Shkëlqim Cani.
Bode mendon se Shkëlqim Cani ka hartuar në vitin 2014 dosjen penale për aferën e kredisë 250 milionë euro, me 15 %. Afera është ideuar dhe zbatuar nga Ridvan Bode dhe Sali Berisha.
Dosja është kopsitur nga FBI-ja. Shkëlqim Cani vetëm ka firmosur referimin në Prokurori.
Ridvan Bode përzgjodhi ofertën më të lartë, ndryshoi kriteret rrugës dhe kreu një sërë veprimesh korruptive, duke sjellë si pasojë 60 milionë euro dëm në buxhetin e shtetit.
Afera u mbyll nga Adriatik Llalla. Kjo dosje shënoi thyerjen e madhe mes amerikanëve dhe Adriatik Llallës, ‘delja’ e Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Para dhe pas shpalljes non grata, përfaqësuesit e SHBA-ve në Shqipëri akuzuan publikisht Adriatik Llallën për mbrojtje të zyrtarëve të korruptuar.
Dosja e kredisë pritet të rihapet nga SPAK përmes një kallëzimi penal.
Ndërkaq, pas largimit të Shkëlqim Canit si ministër i Financave dhe emërimit të Arben Ahmetajt, ky i fundit i çoi dosjen Ridvan Bodes.
Ahmetaj, i cili rrihte gjoksin që gjatë qeverisjes së Fatos Nanos si njeri i amerikanëve, dosjen e kopsitur nga FBI ia çoi Ridvan Bodes.
Ahmetaj besohet se ndihmoi edhe Adriatik Llallën për ta mbyllur çështjen.
Arben Ahmetaj, bashkë me një oligark, i mbushën mendjen Edi Ramës në vitin 2018 për ta emëruar Ridvan Boden anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, aty ku kishte të punësuar vajzën e tij Adela Bode, ndërsa dhëndri i bodes, pra burri i Adelës, Ali Vishaj, ishte aksioner në një institucion financiar që jepte kredi, FINAL, që kontrollohej nga BSH, një aferë kjo më vete korruptive.
Më herët dhëndri i Bodes, Ali Vishaj dhe i biri Eraldo Bode, kishin krijuar një aktivitet për dhënie kredish, me shuma të konsiderueshme parash dhe në shkelje me ligjin.
Ata krijuan AvA Consulting për të lëvruar mikrokredi me interesa tepër të larta, kur Bode ishte ende ministër Financash.
Përpos të tjerave, Arben Ahmetaj dhe Ridvan Bode nuk e durojnë dot faktin se Shkëlqim Cani mbetet i vetmi ministër Financash në historinë e pluralizimit që nuk ka një akuzë për korrupsion apo për shfrytëzim të pushtetit për interesa personale.
Madje kjo ishte edhe arsyeja se pse Edi Rama e zëvëndësoi me Arben Ahmetaj, pasi Cani nuk firmoste asnjë vendim që cënonte interesin publik.
Ky fakt është i njohur dhe i pranuar edhe nga vetë Sali Berisha, i cili flet çdo ditë për koncensionin e inceneratorëve dhe sterilizimit, por nuk e përmend kurrë koncensionin 84 milionë euro të hemodializës së Klodian Allajbeut, pasi Allajbeu pastron paratë e Shkëlzenit me boronicat në Gërdec.
Ahmetaj dhe Bode duket se janê tronditur kur Altin Dumani tha në Kuvend se Shkëlqim Cani ishte i vetmi zyrtar që ishte distancuar dhe kishte refuzuar biznesin e Arben Ahmetajt me inceneratorët.
Madje, kur Shkëlqim Canin e thirrën në SPAK për dosjen e privatimeve korruptive të Arben Ahmetajt dhe grupit të tij, përfshirë edhe dosjen ‘Buka‘, prokurorët u habitën se si Arben Ahmetaj si ministër Ekonomia dhe Gerladina Prodani si sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Financave, kishin kopsitur dhe i kishij fshehur një dosje privatizimi Shkëlqim Canit kur ishte Ministër Financash, duke e ditur se Cani do bëhej pengesë.