Sipas dosjes së SPAK, karteli 20-vjeçar i korrupsionit të Arben Ahmetajt përbëhej nga tre grupe.
Grupi familjarëve të tij, ku përfshihen gratë, kunetërit, vjehrri, motrat Bruna Mene dhe Ana Nazeraj, si dhe nëna e tij 82-vjeçe, Ferdania.
Grupi i biznesmenëve, me të cilët ndante para dhe pasuri publike, ndërsa i përdorte si mbulesë e pasurive të korrupsionit.
Grupi i drejtuesve në Ministrinë e Ekonomisë, Finacave, në Tatime, Dogana, privatizime etj., ku përfshihen kunati.
Nëna e Arben Ahmetajt, Ferdania, e dënuar më parë për vepra shumë të rënda, del në dosjen e SPAK me rol monitorimi dhe kujdesi për ecurinë e punimeve në dy vilat e korrupsionit të të birit, në Palasë dhe Hamallaj, të sekuestruara nga SPAK.
Pastruesja e apartamenteve dhe vilave të Arben Ahmetajt, Meleqe Pillati, ka rrëfyer në SPAK se e kanë çuar për të ajërosur vilën në Palasë dhe ujitur lulet, gjatë viteve 2022 dhe 2023.
Bëhet fjalë për vilën me nr. 73 në Palasë, të cilën Ahmetaj e kishte fshehur në emrin e Elda Dinaj, shoqe e ish bashkëshortes së tij, Albina Mançka.
Sipas dosjes, pastruesja Meleqe Pillati i raportonte Ferdanes me telefon për gjendjen e vilës. Gjithashtu, Meleqja i dërgonte foto Ferdanes në WhatsApp, të ambienteve të jashtme dhe brendshme të vilës.
Nëna e Ahmetajt, sipas dosjes, kujdesej për ecurinë e punimeve edhe tek vila tjetër e Ahmetajt, në Hamallaj, Valamar. Këtë vilë Ahmetaj e ka marrë nga Klodian Zoto, por e ka kamufluar në emrin e klientit të tij biznesmen, Gerian Kuka, i cili më pas ia ka kaluar vilën Eriola Hoxhës, bashkëjetueses së Arben Ahmetajt.
Për mbulimin e vilës është implikuar edhe Artan Gjokaj, i njohur si bankomati dhe dora më e besuar e Ahmetajt në pastrimin e parave, si dhe prindërit e Eriolës, Teuta dhe Flamur Hoxha.
Ferdania, sot 82 vjeçe, inspektonte punimet tek vila bashkë me dy vajzat e saj, Bruna Mene dhe Ana Nazeraj.
Kujtojmë që Bruna, e cila punon tek pensionet, është bashkëshortja e Leonard Menes, të cilin Ahmetaj e ka emëruar drejtor të investimeve në OSHE.
Kunatin e motrës së tij, Klodian Mene, e ka emëruar drejtor të privatizimeve, me të cilin ka kaluar pasuri publike në emër të miqve të tij biznesmenë, sic janë pronat ku është ngritur Latitude dhe qendra tregtare Emerald tek 5 maji, të cilat Ahmetaj i ka kaluar në emrin e Lirim Fezollarit.
Ndërsa, Artan Gjokajn, Ahmetaj e kishte emëruar tek letrat me vlerë si dhe si likujdator të ndërmarrjeve shtetërore. Në emrin e Gjokajt, Ahmetaj dyshohet se ka fshehur HEC-e dhe pasuri të paluajtshme.
Sipas dosjes, Ferdane Ahmetaj, nëna e Ahmetajt, del edhe në udhëtime jashtë vendit, me tre grupet e të birit, familjarë, biznesmenë dhe drejtorët-ushtarë në ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.
Frdania udhëton me vajzat e saj Bruna dhe Ana, disa herë me gratë e Ahmetajt, herë me njërën dhe herë me tjetrën, dhe kryesisht me makinën e Artan Gjokajt.
Në dosjen voluminoze të SPAK del edhe shoferi besuar i Ahmetajt, A. C., si korrier porosish. A.C., përpos shumë porosive, me porosi të Ahmetaj, rezulton se i çonte herë pas here zarfe me euro një gazetari të shënuar si ‘djali i Bodes’.