Kurti rikthen taksën për emigrantët, kontrollet shkaktojnë radhë të gjata në kufi

Aktualitet

Publikuar: 21/07/2023

Kurti rikthen taksën për emigrantët, kontrollet shkaktojnë radhë të gjata në kufi

Qytetarët që kalojnë nga Shqipëria në Kosovë nëpërmjet pikës kufitare të Morinës po përballen prej ditësh me radhë të gjata.

Situata e tensionuar në veri ka ndikuar që shumë emigrantë që kthehen në Kosovë për të kaluar pushimet, të zgjedhin Shqiperinë si rrugë kalimi, duke anashkaluar Serbinë. Fluksi i lartë i ka bërë ata të presin gjatë në doganë në këto ditë ku temperaturat janë ekstreme.

Ndryshe nga pjesa tjetër e qytetarëve nga Shqipëria e Kosova, emigrantët u nënshtrohen kontrolleve të policisë së Kosovës dhe kjo ka ndikuar gjithashtu në zgjatjen e kohës së pritjes.

Në kohën e pikut sipas policisë brenda 1 minute, hyjnë mesatarisht 20 vetura në territorin e Kosovës.

Përveç kontrolleve, këtë vit qeveria Kurti riktheu për emigrantët edhe policën e sigurimit të detyruar për automjetet. Edhe ky vendim për t’i taksuar emigrantët, i ka shtuar vonesat për të kaluar në këtë pikë kufitare.

Nëse numri i emigrantëve do të shtohet në muajin Gusht, siç parashikon policia e Kosovës, me kthimin e taksës dhe kontrollet e emigrantëve, radhët pritet të jenë kilometrike