Kush është pronari i Syri Tv në letra dhe a do bëhet Çim Peka i penduari i SPAK-ut

Investigim

Publikuar: 17/07/2023

Kush është pronari i Syri Tv në letra dhe a do bëhet Çim Peka i penduari i SPAK-ut

Syri Tv njihet gjerësisht si një media e familjes Berisha, edhe pse zyrtarisht asnjë anëtar i saj nuk është pronar i drejtëpërdrejtë apo i tërthortë.

Në letra, pronar fundor i Syri Tv dhe portalit rezulton gazetari Çlirim Peka, 48 vjeç, i njohur ndryshe si Çim Peka, ndërsa administrator Gazmir Spahija.

Syri TV është emri tregtar i kompanisë 3 DS & AF Entertainment, me nipt L71821001T, themeluar në qershor të vitit 2017, me objekt aktivitet në fushën e medias dhe televizionit. Pronarë të 3 DS & AF Entertainment deri në vitin 2019 rezulojnë Donald, Erjona, Arledia, David, Daisy dhe Deon Shena.

Në maj të vitit 2019, kompania 3 DS & AF Entertainment (Syri TV), blihet për 100 mijë lekë nga organizata jofitimprurese Qendra për Informim të Halur, me nipt: L71603456N.

Sipas dokumenteve, kjo organizatë jofitimprurese është themeluar nga Çim Peka, i cili është edhe drejtor ekzekutiv. Si tillë, Peka rezulton edhe pronar përfitues me 100 % të aksioneve. 

Në letrat e blerjes së kompanisë, anëtarë të Bordit Drejtues të organizatës figurojnë Çim Peka, Andi Bejtja, Artan Hoxha, Lutfi Dervishi, Sokol Shameti, Bledi Kasmi, Klodian Tomorri, Brikena Kasmi dhe Armela Kromici. Me shumë gjasa shumica prej tyre mund të mos jenë më pjesë e këtij bordi dhe organizata është thjeshtë një fantazmë për të mbuluar Syrin.

Pas blerjes, Çim Peka bëhet administrator i Syri Tv, konkretisht në 3 maj 2019. Disa muaj më pas, në 29 tetor 2019, Peka largohet si administrator dhe në vend të tij emërohet Gazmir Spahija, ish drejtor i Tatimeve gjatë qeverisjes Berisha.

Sipas letrave, Çim Peka është shef i Spahiut, por në realitet Spahia duket se është shef i Pekës, si i autorizuar nga Shkëlzen Berisha, i cili dyshohet dhe përflitet se kontrollon dhe financon televizionin me para të pista.

Rreth 40 biznesmenë, shumica e të cilëve marrin tendera dhe koncensione nga pushteti i Edi Ramës, madje disa janë shpallur si investitorë strategjikë, financojnë Syri TV, në formë pagesash për reklama.

Disa prej oligarkëve paguajnë tarifë mujore dhe nuk pranojnë të reklamojnë asgjë në Syri TV apo portal. Ka dyshime të forta që pagesat bëhen në formë haraçi që Sali Berisha të mos i baltosë. Dhe çuditërisht Berisha, që nuk lë njeri pa marrë nëpër gojë, ata që pagujnë tek Syri, nuk i përmend asnjëherë.

Megjithatë, pagesat që variojnë nga 700 deri në 9 mijë euro në muaj, nuk mbulojë dot shpenzimet që dikton televizioni, madje as rrogat për stafin, edhe pse pagat e deklaruara janë disa herë më të ulëta se sa ato reale. 

50-90 % e pagës merren cash. Për shembull, vetë Çim Peka, pronari i madh në letra, figuron në tatime me pagë 800 mijë lekë të vjetra, sa paga e një gazetari mesatar web-i.

Gazetarë të njohur dhe që flasin për aferat e qeverisë si Adi Krasta, Sonila, Meço, Andi Bejtja etj., rezultojnë me pagë të deklaruar anomalisht të ulët, thua se punojnë në ndonjë rrobaqepsi.

Gjithashtu nuk ka fatura dhe burim justifikues për shpenzimet për blerje të pajisjeve për televizion. Infrastruktura e televizionit është ngritur në mënyrë okulte, në paligjshmëri të plotë, duke sfiguar hapur Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Krimin Ekonomik dhe organin e akuzës.

Për më tepër, portali SYRI.net, nga qershori i vitit 2015 deri të paktën në 2017 ka funksionuar në paligjshmëri të plotë, i paregjistruar në Tatime, pa nipt, me paga në të zezë etj. Dhjetëra gazetarë që kanë punuar aty, janë paguar cash, me para që nuk u dihet burimi.

Faktet dhe rrethanat sugjerojnë se Syri TV është një nga qendrat më sfiduese të pastrimit të parave në Tiranë, mashtrimit, shmangies së taksave, fshehjes së të ardhurave etj.

Në Prokurorinë e Tiranës ka një dosje të ‘ngrirë’ për pastrim parash nga kjo celulë e Familjes Berisha, e maskuar si media.

Si në shumë afera korruptive dhe krime në të kaluarën, Berisha dhe Zeni kanë përdorur Çim Pekën dhe Gaz Spahinë në këtë sipërmarrje korruptive.

Kuptohet që Peka dhe Spahiu nuk janë naivë duke u përfshirë në këtë veprimtari me risk të madh penal, pa përfituar diçka.

SPAK vijon një hetim të thelluar ndaj Shkëlzen Berishës dhe Jamarbër Malltezit për pastrim parash, nisur nga biznesi i vdekjes në Gërdec dhe privatizimi i ish Klubit Partizani, ku Malltezi ka ngritur disa kulla, me vetëm 39 mijë euro të deklaruara.

Një burim i rezervuar tha se për Jamarbër Malltezin pritet një urdhër-arrest para shtatorit, ndërsa për Shkëlzenin vijon një hetim i thelluar, i ngjashëm me hetimin ndaj Arben Ahmetaj, i shtrirë deri në vitin 2004, ku dukej dora e FBI-së.

A do të shtrihet hetimi i SPAK për Shkëlzenin deri tek pastrimi i dyshuar i parave me Syri Tv, ku ndahen çdo muaj dhjetëra mijëra euro cash dhe çdo vit bëhen bilance mashtruese?

Nëse po, a do të kthehet Çim Peka në i penduar i SPAK-ut apo do të pranojë të shkojë drejt burgut për Berishën dhe Zenin si Fatmir Mediu?