Të implikuarit do ‘qerasen’ me apartamente. Pallati i Fatmir Hanxharit që do ndërtohet në vend të godinës që u shemb me forcë në Vlorë, banorëve të dëbuar u thanë se do bëhet rruga. Ende asnjë hetim

Investigim

Publikuar: 29/06/2023

Të implikuarit do ‘qerasen’ me apartamente. Pallati i Fatmir Hanxharit që do ndërtohet në vend të godinës që u shemb me forcë në Vlorë, banorëve të dëbuar u thanë se do bëhet rruga. Ende asnjë hetim

Prokuroria ende nuk ka nisur asnjë hetim për shkatërrim prone, marrje pasurie me forcë, dëbim nga banesa me forcë, korrupsion dhe pastrim parash.

Ky është pallati me 13 kate i Fatmir Hanxharit në Skelë të Vlorës, në truallin e godinës që u shemb disa ditë më parë me forcë nga Bashkia e Vlorës dhe policia. Lejen e ka dhënë Dritan Leli, i cili në këtë rast është bërë bashkë me mafien e ndërtimit.

Pamjet e Tatjana Hoxhës, një prej banoreve, e cila u tërhoq zvarrë dhe u mbajt në ajër nga policia, për t’i prishur banesën, nuk do fshiheh lehtë nga kujtesa.

Publikisht u tha se aty do ndërtohej dhe zgjerohej rruga. Por këto dokumente dhe ky plan tregon se do ndërtohet një pallat me 13 kate nga biznesmeni Fatmir Hanxhari, i cili dyshohet se ka korruptuar kupolën e Bashkisë Vlorë dhe policinë, duke i përdorur si bandën e tij.

Hanxhari ka blerë dhe rekrutuar kryeinspektorin e mbrojtjes së Territorit pranë bashkisë, Arnold Rrokaj, u ka çuar letrën banorëve se do t’u prishë shtëpitë pasi preken nga gjurma e rrugës, kur në fakt rruga e re nuk i ka prekur fare. Banesat e tyre prekeshin vetëm nga gjurma e pallatit të Fatmir Hanxharit.

Kemi të bëjmë me një skemë kriminale me përfitues Fatmir Hanxharin, ku janë implikuar struktura të Bashkisë Vlorë, ndërsa prokuroria vijon të qëndrojë indiferente.

Banorët e dëbuar me forcë për interesa të Fatmir Hanxharit janë braktisur edhe nga qeveria, opozita dhe shumica e mediave.

Një burim tha për Prapaskenën se zyrtarë të Bashkisë Vlorë, segmente të policisë dhe një prokuror, do marrin apartamente nga Hanxhari tek ky pallat, si shpërblim korruptiv për grabitjen e pasurisë private me forcë.