Lulzim Basha ka nisur zyrtarisht fushatën për kreun e PD. Këshilli Kombëtar dhe Kryesia vendosën që PD më 29 korrik të shkojë në zgjedhje për kryetarin, ndërsa dy emrat e vetëm që shfaqën interes janë Lulzim Basha dhe Gjergj Hani.
Basha e nisi fushatën nga Kruja, ku ka paralajmëruar zhvillime të forta në parti. Ai u ndal te sulmet që i janë bërë këto vite, ndërsa premtimi kryesor për demokratët ishte se sa të jetë ai kryetar, Berisha nuk do jetë kurrë pjesë e kësaj partie. Basha u shfaq po me të njëjtën veshje si presidenti i Ukrainës, duke dhënë sinjal se do ketë një përballje të fortë me Berishën pasi të marrë kreun e PD.
“Partia Demokratike nuk është e imja, as e ndonjë individi tjetër, por është e demokratëve, të cilët e kanë mbrojtur atë në ditë të vështira e pas çdo sfide i’a kanë dalë ta bëjnë atë edhe më të fortë. Jam i bindur se kështu do të ndodhë sërish, sepse këtë presin prej nesh shumica e shqiptarëve. Jemi përballur me një fushatë në kufijtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodash nga më të ultat, për ta detyrur PD të futet në një konflikt me SHBA, për ta detyruar PD të bëhet mburojë e problemit personal të një individi. Ajo që sot është e sanksionuar në ligjet e PD dhe që dua ta rikonfirmoj edhe njëherë është se nuk ka vend në organet vendimmarrëse të Partisë Demokratike për këdo, lider, ish-lider, lider i ardhshëm, i cili shpallet non grata nga SHBA”, tha Basha.
Ai u shpreh se ajo që është e rëndësishme për sot dhe të ardhmen e PD është se ajo do t’i mbetet besnike vlerave euroatlantike dhe interesave kombëtare. Basha premtoi se do të rikthej PD në origjinë, te idealet kur u themelua.
“Ne do të bëjmë një lidhje me të djathtën historike, me dyert e mëdha që hodhën themelet e shtetit shqiptar, me njerzit e lirë dhe demokratë që ishin radha e parë e persekutimit komunist, me kontribuesit pas viteve ’90, të të gjithë të përjashtuarve dhe viktimave politike gjatë këtyre 30 viteve, që të ndërtojmë së bashku një histori të plotë të Partisë Demokratike. Demokracia pjesëmarrëse, përfshirja e gjerë e anëtarëve të partisë, e qytetarëve, e intelektualëve, e grave, e sipërmarrësve dhe grupeve të interesit në ndërtimin e alternativës më të mirë”, tha ai.
Mirëpo Basha ka paralajmëruar dhe një zhvillim tjetër. Ai tha se i vetmi koalicion do të jetë Aleanca Qytetare për Demokracinë. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një projekt të ri, apo Basha ka dashur të thotë se do ketë koalicion vetëm me qytetarët.
“Aleanca Qytetare për Demokracinë, do të jetë koalicioni ynë për ta çliruar ekonominë dhe për t’i çuar përpara ndryshimet kushtetuese, që do të zhbëjnë ato të 2008-ës, do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e diasporës dhe kufizimin e mandateteve. Sot ky është një mision i ri, ndoshta më i rëndësishmi që nga krijimi i kësaj partie”, tha ai.
Basha e mbylli duke thënë se Partia Demokratike do të jetë e të gjithë demokratëve, nga themeluesit te më i riu, apo më e reja mes nesh.